Transmetuar më 26-06-2022, 22:20

Deklaratë e fortë e politikanit të njohur nga Vojvodina, Nenad Čanak, kreu i Lidhjes së Socialdemokratëve. Ai u shpreh mbrëmjen e kaluar se “Rusia synon vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, si dhe “nisjen e një konflikti të ri në Ballkan”.

Kjo sepse pasi sipas tij, presidenti serb, Vuçiç “nuk është aleat i besueshëm i Kremlinit”.

Këto komente politikani serb i ka dhënë gjatë një interviste për televizionin e Sarajevës Face TV me gazetarin Senad Haxhifejzoviq, transmeton Danas.

Čanak po ashtu ka hedhur akuza të rënda në drejtim të anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas tij, “Putini e ka autorizuar Dodikun që t’i bëjë presion Vuçiqit për të mos i vendosur sanksione Rusisë”. “Shpirt i shitur” e “njeri imoral”, e ka cilësuar ai Dodikun.

Perëndimi ka kërkuar nga Beogradi që t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

Serbët në Beograd disa herë kanë manifestuar shesheve në mbështetje të presidentit rus Vladimir Putin.