
UKRAINË- Sulme me raketa kanë ndodhur sot herët në mëngjes mbi Kiev.
Më e goditur ka qenë lagja Shevchenkivskiy tha kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Aktualisht ende nuk ka të dhëna të menjëhershme për shkakun e shpërthimeve apo nëse ka viktima por raportohet se në banesat përreth po evakuohen banorët.
“Ekipet e ambulancës dhe ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendngjarje. Informacion më të detajuar, më vonë. Banorët janë duke u shpëtuar dhe evakuuar nga dy ndërtesa”, tha Klitschko.
Distrikti historik, një nga qendrat e Kievit, është shtëpia e një grupi universitetesh, restorantesh dhe galerish arti. AFP raportoi se shpërthimet ndodhën rreth orës 6:30 të mëngjesit me orën lokale, gjysmë ore pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytet. Bombardimet nuk kishin ndodhur prej tre javësh.