Transmetuar më 24-06-2022, 15:05

Agjencia hapësinore NASA urdhëroi anulimin e ankandit për dheun e marrë nga Hëna dhe për insektet e ushqyera nga lënda e përftuar në satelitin e Tokës duke mos dhënë shpjegime për arsyet e vendimit.

Urdhri erdhi pak orë para se RR Auction me bazë në Boston të niste ankandin për shitjen e pluhurit të hënës të mbledhur gjatë misionit Apollo 11 të vitit 1969, i cili më pas ishte ushqyer te buburrecat gjatë një eksperimenti për të përcaktuar nëse shkëmbi hënor përmbante ndonjë lloj patogjeni që përbënte një kërcënim për jeta tokësore.

Materiali, tha një avokat i NASA-s në një letër drejtuar mbajtësit të ankandit, ende i përket qeverisë federale, raporton noa.al duke cituar AP.

Materiali nga eksperimenti, duke përfshirë një shishkë me rreth 40 miligramë pluhur hëne dhe tre kacabuj të ngordhur, pritej të shitej për të paktën 400,000 dollarë, por është tërhequr nga blloku i ankandit, tha RR të enjten.

“Të gjitha mostrat e Apollo, siç përcaktohet në këtë koleksion artikujsh, i përkasin NASA-s dhe asnjë personi, universiteti apo subjekti tjetër nuk i është dhënë leja për t’i mbajtur ato pas analizës, shkatërrimit ose përdorimit tjetër për çfarëdo qëllimi, veçanërisht për shitje”, thuhej në letrën e NASA-s.

Në një letër të dytë, avokati i NASA-s tha sot se i kërkoi RR Auction të punonte me pronarin aktual të materialit për t’ia kthyer atë qeverisë federale.

Misioni Apollo 11 solli më shumë se 21.3 kilogramë shkëmb hënor në Tokë. Disa pjesë të dheut shërbyen për të ushqyer insekte, peshq dhe krijesa të tjera të vogla për të parë nëse lënda hënore do t’i vriste.

Buburrecat që ushqeheshin me pluhurin e hënës u sollën në Universitetin e Minesotës ku entomologia Marion Brooks i preu dhe i studioi.

"Nuk gjeta asnjë provë të agjentëve infektivë," tha Brooks, që vdiq në 2007. Ajo nuk gjeti asnjë provë që materiali i hënës ishte toksik ose shkaktoi ndonjë efekt tjetër të keq tek insektet.

Por shkëmbi i hënës dhe buburrecat nuk iu kthyen kurrë NASA-s, përkundrazi u shfaqën në shtëpinë e Brooks. Vajza e saj i shiti ato në vitin 2010, dhe tani ato tentuan të dalin në shitje përsëri nga RR Auction. /noa.al