Transmetuar më 16-06-2022, 10:23

Në pamundësi që të marrë në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në komunën e Prishtinës për 99 vjet, festivali i muzikës, Sunny Hill Festival, u zhvendos nga Prishtina për në Tiranë. Të paktën për këtë vit.

Ky vendim u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahet festivali, nga 4-7 gusht.

Në një njoftim që nxiti debat të gjerë në Kosovë, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa, tha se arsye për këtë është zvarritja e procedurës për marrjen në shfrytëzim të një hapësire në komunën e kryeqytetit të Kosovës.

Bëhet fjalë për një parcelë në Bërnicë të Poshtme. Vetë procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës për kompaninë Sunny Hill (Sh.P.K.), që e organizon festivalin, u përcoll me kundërshtime politike nga niveli komunal e deri tek ai qendror.

Kundërshtime pati edhe nga shoqëria civile dhe aktivistët.

Në momentin kur u bë i ditur vendimi se festivali do të zhvendosej në Tiranë, institucionet e Kosovës ende nuk e kanë marrë një vendim final për dhënien ose jo të tokës në shfrytëzim për festivalin.

Largimi i këtij edicioni të Sunny Hill nga Kosova përveç që nxiti kritika të shumta të politikanëve e qytetarëve ndaj Qeverisë, u quajt një gabim strategjik edhe nga raportuesja për Kosovën në Komisionin Evropian, Viola von Cramon.

Si do të mbahet festivali në Tiranë?

“Datat e njëjta, përvoja e njëjtë e bukur, lokacion tjetër”, ky është njoftimi që festivali “Sunny Hill” bëri në media sociale për të njoftuar zhvendosjen e festivalit në Tiranë.

Lajmi shpejt u shpërnda edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur për REL se ftesa e hapur nga Tirana “ka qenë prezent prej vitit 2018 dhe të gjithë palët kanë qenë shumë të vetëdijshme për këtë”.

“Ideja gjithmonë ka qenë që festivali të mbahet në të dy kryeqytetet”, thotë Begolli.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se festivali do të kthehet në Prishtinë sapo të krijohen kushtet për të.

“Sunny Hill e ka vendin në Prishtinë. Kurdo që krijohen kushtet që Sunny Hill Festival të ketë qasje në një pronë të mirëmbajtur dhe lokacion të përhershëm, si dhe mbështetjen e institucioneve lokale edhe atyre qendrore, atëherë Sunny Hill do të kthehet në Prishtinë. Ne shpresojmë shumë që kjo të jetë në vitin 2023 nëse përgatitjet për hapësirë vazhdohen qysh prej tash”, tha ai.

Sipas Begollit, Sunny Hill do të mbahet në brigjet e liqenit artificial në Tiranë.

“Hapësira e përzgjedhur është bukur e gatshme dhe ka nevojë për intervenime minimale”, tha ai. Festivali Sunny Hill ishte mbajtur për herë të parë në Prishtinë në vitin 2018 dhe sërish në vitin 2019.

Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të tjerë.

Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.