Transmetuar më 26-05-2022, 23:42

PODGORICË- ‘Ballkanit të Hapur’ i bashkohet edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e radhës të “Open Ballkan”.

"Unë do të iki si kryeministër. Mendoj se çdo iniciativë rajonale që mund të përshpejtojë integrimin është diçka që duhet ta pranojmë. Nëse dikush ka një ide për të bërë një zëvendësim për integrimin evropian, ne nuk jemi të interesuar. Por realisht, nuk kam dëgjuar një argument i vlefshëm se pse Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi. Nëse nuk është mirë për një parti apo një politikan, le ta thonë. Por nuk kam dëgjuar një argument të vlefshëm,”-tha ai.

Ndërsa shtoi se: Ne duam ta kthejmë ‘lojën’ në favorin tonë dhe të tregojmë se mund të bashkëpunojmë për pikat dhe çështjet që janë me interes të përbashkët dhe të dërgojmë atmosferë të mira, gjë që nuk ishte rasti më parë.

Abazovic vuri në dukje se Mali i Zi nuk iu bashkua nismës Ballkani i Hapur, edhe pse kishin qenë vëzhgues në disa takime.

"Do t’ju kujtoj se presidenti Gjukanoviç ka marrë pjesë një here. Një herë ka marrë pjesë ministri i ekonomisë Sekulic. Ka ndodhur më herët, unë do të iki si kryeministër. Personalisht, mendoj se çdo iniciativë rajonale që mund të përshpejtojë “integrimin europian, jo vetëm të Malit të Zi, por të vendeve të rajonit, diçka që duhet ta pranojmë,”- tha Abazovic.

Edhe më herët kur mbante postin e zv.kryeministrit, Abazoviç e kishte bërë me dije se ishte pro nismës, së cilës deri më tani i janë bashkuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Takimi i radhës do të mbahet në Ohër, në fillim të muajit qershor, por nuk ka ende një datë.