Transmetuar më 22-05-2022, 19:57

Në Tiranë, Shkodër e Korçë, nga skenat moderne, e deri tek parqet antike, si në Apolloni apo parkun Helen në Farkë, mbërrijnë artistë e profesionistë nga vendi fqinj

Një javë e mbushur plot me veprimtari kulturore është kjo e datave 23 – 29 maj sepse Greqia premton të na mahnisë me fuqinë e artit dhe kulturës që mbart si trashëgimi.

Në Shqipëri po vijnë shumë artistë të rëndësishëm për evente në Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe jo vetëm.

Java e Kulturës Greke, një mundësi për të treguar më të bukurën e çdo kombi

Pranvera këtë vit ka mbërritur si festë. Muzikë, teatër, arte vizuale, filma dhe kuzhinë të mirë. Këto janë vetëm pak nga ato që ofron java e kulturës greke në Shqipëri.

Nga e hëna e 23 majit e deri të dielën, kjo javë do të jehojë përmes tingujve, shijeve dhe pasdiskutim traditave të gëzueshme greke.

Agjencia e Lajmeve NOA ju sjell më poshtë axhendën e plotë:

23 maj: Njihuni me artistë si Stelios Kerasidis, djali 9-vjeçar që njihet si Prodigy në piano, një talent i vërtetë që jo vetëm luan në piano, por edhe krijon. Kerasidis i klikuar tanimë nga e gjithë bota do të sjellë në Tiranë përmes tastierës pianistike mesazhin e kësaj jave të kulturës, për të qenë bashkë dhe jo të ndarë, përmes himnit të fundit që ai ka krijuar kundër luftës në Ukrainë. Sepse muzika është gjuha e shpirtit njerëzor dhe këtë do të mund ta ndieni në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në ora 18.30. Symphonic Rebetiko është një tjetër orkestër që mbërrin në Tiranë për të performuar; një orkestër simfonike që u duartokit, teksa performonte virtualisht kur e gjithë bota e shijonte artin nga shtëpia. Instrumentistët grekë, në kohën më të ashpër të Coronavirusit bënë bashkë 54 muzikantë nga 11 vende të botës për të performuar live në emër të jetës. Disa prej këtyre muzikantëve do t’ia shijojmë magjinë e muzikës edhe në Tiranë më 23 maj 2022 në ora 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Festë e cila vizualisht, shkon deri në Dropull e Finiq, ku një grup artistësh të rinj, URBAN ACT do t’i japin jetë dhe ngjyra këtyre viseve me anë të artit të rrugës GRAFFITI.

24 maj: Dita e dytë e festës i lë vendin artistit Thanassis Katsaras që vjen në Shqipëri për t’ju rrëfyer një eksperiencë fantastike! Me artin e zbukurimit të qeramikave, një trashëgimi nga babai që pikturonte në vazo dhe nëna që punonte me qeramikën, ky artist do të na tregojë se si pikturohej në antikitet edhe një shishe e vogël parfumi, histori të përshkruara shpesh në libra e filma. Për këtë event është zgjedhur që të takohemi me artistin në Parkun Helen në Farkë që nga ora 10.00. E meqënëse përmendëm kinemanë, nuk harrojmë t’ju ftojmë më 24 maj, për filmat që do të projektohen fillimisht në qytetin e Korçës, por do të rrugëtojnë edhe në Tiranë, më 27 maj.

25 maj: Parku Helen në Farkë do të shndërrohet edhe në 25 maj, që nga ora 10.00 në gëzim për fëmijët që i duan ngjyrat, artin vizual apo krijimet me xhaxhi piktorin në krye. Të vegjlit me siguri do të gjejnë frymëzimin pranë Liqenit të Farkës, apo pamjes së Malit të Dajtit prej aty. Farka do ta vijojë festën për të vegjlit pasi në ora 18.00 nis një koncert ku kryefjala janë fëmijët. Ndërkohë po në ditën e katër të javës së kulturës greke, në ora 19.00 një tjetër destinacion në Tiranë, në Amfiteatrin e Liqenit Artificial do të presim Miti i Amazonave, një trupë teatrale greke, që nuk sjell vetëm teatër, por e ndërthur atë me magjinë e kërcimit. Ndryshe nuk do të quheshin Miti i Amazonave. Apo jo?

26 maj: Kuzhinën greke do të mund ta shijojnë të parët ata që do të jenë në Shkodër gjatë kësaj jave. Pasi në datën 25 maj 2022 nisur nga ora 18.00 e pasdites e deri 21.00 në mbrëmje në receta të shumta që vijnë nga kjo kulturë gatimi do të mund të shërbehen në pedonalen e njohur të këtij qyteti. Këto receta do të mbërrijnë edhe në kryeqytet më 26 maj. Te Pazari i Ri pasditja nga ora 18.00 e deri në mbrëmje ju fton të shijoni kuzhinën greke. Miti i Amazonave, ndërkohë do të rrugëtojë edhe në Fier, në Apolloni, në ora 17.30 si një trupë që performon dance-teatër edhe në një destinacion antik.

27 maj: Kryeqyteti do të presë në 21.00 kinemanë greke. Katër filma do të projektohen për dashamirësit e ekranit të madh. Filmat grekë do të përcillen me titra shqip edhe në Tiranë. Apples, Eftychia, Tailor, The enigma of Keros janë titujt e produksioneve që do të përcillen nga ora 21.00 në metropol.

28 maj: Kori i Thessalonikit (Mixed Choir of Thesaloniki), i njohur ndryshe edhe si Interbalkan Choir, vjen për një tjetër lloj magjie që na ofron muzika. Ky kor do të ngjitet në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë për një koncert tejet unik në ora 20.00, ndërsa në Tiranë do të shtrohet një darkë për të mirëpritur të gjithë sportistët që do të bëhen pjesë e aktivitetit përmbyllës: Tiranathlon!

29 maj: Të gjithë e dinë se Lojërat Olimpike, u frymëzuan nga aktivietetet në Olimp të Greqisë. Në kohët e sotme, shumë afër Greqisë, Tirana mirëpret një përvojë disi më moderne sportive, triathlonin, një garë me tri disiplina ‘olimpike’: notin, çiklizmin dhe vrapin. Gara nis në 08.00 dhe vendi ku do të mirëpritet ky kompeticion është në Farkë, jo vetëm për ujërat e pastër dhe gjithë natyrën mikrpitëse për sportistët, por edhe për të manifestuar në natyrë bukurinë e jetës përmes triumfuesve! /noa.al