Transmetuar më 20-04-2022, 08:18

Bruksel- Zhvillohet sot në Bruksel takimi Serbi-Kosovë për targat.

Takimi mes grupeve të punës do zgjasë dy ditë.

Një gjë e tillë është konfirmuar për RTK-në nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano.

Ai tha se BE-ja ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje.

“Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, tha ai duke shtuar se BE-ja dëshiron t’u kujtojë të dyja palëve edhe një herë se tani është urgjente për të gjetur gjuhën e përbashkët.

“Çdo marrëveshje për targat do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis”, tha Stano.

Ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritur marrëveshjen përfundimtare për targat vetëm me parimin e reciprocitetit.

“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë Kurti.

Më 21 prill skadon afati i Marrëveshjes së përkohshme për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes, veturat në kufi duhet të mbulojnë simbolet shtetërore me letër ngjitëse, si kur futen në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Kjo marrëveshje i pati dhënë fund bllokadës 12 ditore që serbët kishin bërë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të pakënaqur me reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Kurti tha se parimit të reciprocitetit do t’i përmbahen edhe në takimin në Bruksel.