Transmetuar më 17-04-2022, 19:33

Kosovë- Gjendja e rëndë ekonomike, braktisja e shkollës dhe dhuna në familje janë disa nga arsyet kryesore për martesat e hershme në Kosovë, e që më së shumti prek vajzat e komuniteteve rom dhe egjiptian.

Martesa e hershme në Kosovë është ngritur si shqetësim në raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021, i publikuar nga Departamenti amerikan të Shtetit më 12 prill.

DASH-i citon një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), i cili thotë se 1 në 25 gra dhe 1 në 50 meshkuj të moshës 20-24 vjeç ishin martuar para moshës 18 vjeç në Kosovë.

Sipas këtij raporti të publikuar në vitin 2019-2020, përqindja është shumë më e lartë te femrat dhe meshkujt e kësaj moshe nga komunitetet rom dhe egjiptian. Në fakt, 1 në 3 femra dhe 1 në 10 meshkuj të moshës 20-24 vjeç të këtyre komuniteteve, ishin martuar para moshës 18 vjeç. Edhe në raportin e DASH-it shkaktar për këtë situatë vlerësohet të jetë varfëria dhe mungesa e edukimit.

Viktima të dhunës si pasojë e martesës së hershme

“Unë jam martuar 14-vjeçare. Jemi grindur e kemi bërë fjalë. Më ka larguar nga shtëpia në orën 6 të mëngjesit. I thashë që nuk kam ku të shkoj. Më ka lënduar shumë. Dhëmbët m’i ka thyer. Unë shtatzënë, më ka goditur në gjoks, më ka lënë pa frymë”.

Ky është një rrëfim i një vajze rome, tani 18 vjeç, dhënë për Radion Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar.

Njësoj si ky rast ka edhe shumë të tjera tha Gjyljeta Devolli, nga Organizata për të drejtat e grave dhe vajzave rome dhe egjiptiane.

Devolli tha se informimi dhe ndërgjegjësimi i familjeve të këtyre komuniteteve lidhur me martesat e hershme është faktor kyç në parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas saj, shumica e familjarëve, i detyrojnë vajzat e tyre të martohen me pretendimin se ato do të gjejnë një jetë më të mirë, mirëpo në fakt, siç shtoi ajo, në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta.

“Ato vajza e lënë shkollimin, mbesin ekonomikisht të varura gjatë gjithë jetës, iu nënshtrohen martesave joligjore, lindin fëmijë në kohën kur ato janë vetë fëmijë dhe nuk kanë njohuri në edukimin e fëmijëve, pastaj shumë shpesh janë edhe viktima të dhunës në familje dhe formave tjera të abuzimit”, tha ajo.

Njësoj mendon edhe Muhamet Arifi, drejtues i organizatës “Balkan Sunflowers”, që merret me edukimin dhe çështjet e të drejtave të komuniteteve rom dhe egjiptian në Kosovë. Sipas një raporti që ka bërë organizata e tij e të publikuar në dhjetor të vitit 2020, rreth 10 për qind e grave të komuniteteve rom dhe egjiptian, janë martuar nën moshën 18 vjeç në pesë vjetët e fundit. Arifi tha se një prej arsyeve kryesore është papunësia. Raporti përfshin 574 familje në katër komuna, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë dhe Shtime.

Nga të gjitha këto familje, sipas raportit, ka pasur 53 martesa nën moshën 18 vjeç në pesë vjetët e fundit. Janë 43 gra shtatzëna të moshës nën 18-vjeç. Më shumë se 50 për qind e popullsisë në këto komuna, është nën moshën 18-vjeçare.

“Kemi shumë studentë që kanë përfunduar fakultetin dhe master dhe janë të papunë. Të tjerët që janë më të rinj e kanë parë që këta kanë studiuar dhe nuk janë punësuar. Martohen, bëjnë fëmijë dhe marrin social dhe jetojnë ashtu”, tha ai.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se vetëm 64 për qind të fëmijëve të komuniteteve rom dhe egjiptian, e ndjekin shkollën e mesme të ulët, ndërsa vetëm 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë.

Nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, KOMF, thonë se edukimi është një prej faktorëve kryesorë pse ndodhin martesat e hershme. Fëmijët e këtyre komuniteteve kryesisht e ndjekin mësimin në gjuhen shqipe në Kosovë.

“Martesa para moshës 18-vjeç, për fat të keq, është një realitet i errët i shumë vajzave dhe kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve”, tha Bukureza Surdulli, hulumtuese në organizatën KOMF.