Transmetuar më 15-02-2022, 07:44

Kosova lëshon lejeqëndrime me afat 5-vjeçar për shtetasit shqiptarë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shpërndarë lejeqëndrimet e para bazuar në marrëveshjen mes Kosovës e Shqipërisë të arritur më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Kjo marrëveshje u nënshkrua me vullnetin e përbashkët për sigurimin e një perspektive më të mirë për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të thjeshtësuar procedurat dhe lehtësuar jetën e shtetasve të të dy vendeve.

“Me këtë marrëveshje, shtetasit e dy vendeve përfitojnë lejeqëndrimin e përkohshëm me afat pesëvjeçar dhe kanë lehtësim të theksuar të kritereve për pajisje me lejeqëndrim, me vetëm një dokument udhëtimi dhe deklarim adrese, ulje të theksuar të tarifave të shërbimeve.

Ky është edhe një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve”, thotë Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Me këtë marrëveshje, shtetasit e dy vendeve përfitojnë lejeqëndrimin e përkohshëm me afat pesëvjeçar (deri tani ishte me afat njëvjeçar ku shtetasit duhej të ri-aplikonin për çdo vit) dhe kanë lehtësim të theksuar të kritereve për pajisje me lejeqëndrim, me vetëm një dokument udhëtimi dhe deklarim adrese, ulje të theksuar të tarifave të shërbimeve.