Transmetuar më 29-01-2022, 22:03

Operatorët turistikë shohin rritje të prenotimeve pasi njerëzit kërkojnë kulturë dhe histori interesante me çmim më të ulët se destinacionet fqinje

Nga Rachel Hall – The Guardian – Përktheu dhe redaktoi noa.al

Shqipëria këto vite ka qenë në radarin e udhëtarëve të guximshëm me çanta shpine, por këtë vit operatorët turistikë po parashikojnë se vendi i Ballkanit juglindor do të bëhet një destinacion kryesor pushimesh për banorët në Mbretërinë e Bashkuar pasi vërehet një rritje domethënëse e rezervimeve këtë janar.

Interesi britanik është rritur gradualisht gjatë dekadës së fundit, pasi Shqipëria është hapur ngadalë pas një diktature 44-vjeçare që përfundoi në 1985.

Operatorët turistikë kanë parë një rritje të dukshme të rezervimeve për vitin 2022 ndërsa Shqipëria zgjeron thirrjen e saj për njerëzit që kërkojnë plazhe të bukura dhe peizazhe ekzotike në njërën anë dhe turizëm kulturor e historik në anën tjetër, të gjitha këto, me një çmim më të ulët se destinacionet fqinje.

Ura osmane Ura e Goricës në qytetin historik të Beratit, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Shqipëri

“Shqipëria është një nga ato destinacione të vogla dhe të larmishme që mund të ofrojë pak nga gjithçka për këdo, ngjashëm me Malin e Zi apo Slloveninë,” thotë Tine Murn, bashkëthemeluese e New Deal Europe, një agjenci marketingu për turizmin ballkanik.

Murn thotë se Shqipëria është dukshëm një "perlë e pazbuluar mesdhetare" dhe shton se ky vend "të krijon një ndjenjë ekzotike, edhe pse gjeografikisht është shumë afër".

Shqipëria u bë veçanërisht tërheqëse dy vitet e fundit, ndërsa njerëzit hezitonin të udhëtonin për distanca të gjata për shkak të pandemisë dhe të nxitur nga fakti se ky vend ka pasur shkallë shumë të ulët të infektimeve me Covid dhe nuk ka pasur kufizime për pjesën më të madhe të pandemisë.

Shtëpi osmane në një kodër në Gjirokastër, Shqipëri.

Shtëpi osmane në një kodër në Gjirokastër, Shqipëri. Foto: Jesse Kraft/Alamy

Agjencia kombëtare e turizmit (AKT) e sheh Mbretërinë e Bashkuar si "një treg në zhvillim" dhe thotë se ka promovuar në mënyrë aktive turizmin vitet e fundit. Vendi po bëhet gjithashtu shumë më i lehtë për ta eksploruar pasi standardi i akomodimit të tij është përmirësuar dhe shpenzimet për infrastrukturën janë rritur, me një rrugë të re që lidh malet lindore me vijën bregdetare perëndimore,  rrugë që do të hapet këtë vit.

Komuniteti i madh shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe personazhet e famshëm, si futbollisti i Southampton, Armando Broja dhe yjet e popit Dua Lipa e Rita Ora, kanë ndihmuar më tej në rritjen e popullaritetit të vendit.

Fluturimet nga Britania e Madhe drejt Tiranës, janë gjithnjë e më të disponueshme dhe të kërkuara. Faqja e internetit e rezervimeve Skyscanner tha se kishte parë një rritje prej 48% të rezervimeve në Shqipëri krahasuar me vitin 2019, duke reflektuar interesin për “destinacionet më pak të njohura, të cilat tradicionalisht konsiderohen jashtë itinerareve tradicionale”. Rezervimet mesatare ishin për 2.1 persona, duke sugjeruar se aktualisht po rezervojnë kryesisht çifte dhe grupe miqsh.

Megjithatë, Elton Çaushi, i cili drejton një operator turistik në Tiranë, thotë se vizitorët kanë "ndryshuar ndjeshëm" vitet e fundit. Sipas tij, deri dje dominonin turistët me çanta shpine, duke nënkuptuar aventurierë që nuk shpenzojnë thuajse asgjë në mënyrën e tyre të të bërit turizëm duke fjetur në hostele apo çadra, duke udhëtuar në vend, më këmbë ose biçikleta si dhe duke bërë shpenzime mininaliste jetese.

Kurse tani, shton ai, familjarë nga vendet e BE-së, dhe sidomos familjet britanike tani janë gjithnjë e më të pranishme në zonat turistike shqiptare.

“Kroacia hyri në hartën e turizmit evropian pasi u shpërbë Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania befasuan Evropën me bukurinë dhe historinë e tyre kur u bënë anëtare të BE-së, dhe tani kontinenti është i etur për të zbuluar më shumë. Ka ardhur dita për një nga sekretet e fundit të Evropës”, ​​tha ai.

Ndërtesa në kryeqytet, Tiranë

Ndërtesa në kryeqytet, Tiranë. Foto: Matjaž Tančič/Alamy

Zina Bencheikh, drejtoresha menaxhuese për Evropën në Intrepid Travel, tha se ka pasur një rritje të rezervimeve këtë vit, pjesërisht për shkak të faktit se Shqipëria ofron aventura pa qenë nevoja për të udhëtuar larg e me fluturime shumëorëshe.

Wild Frontiers, një nga operatorët e parë që nisi ture në Shqipëri, tha se kërkesat për udhëtimet e saj njëjavore me guidë – të vetmet që ofron nën 1,000 £ – u rritën me 30% në janarin e kaluar. Themeluesi i saj, Jonny Bealby, është i bindur se Shqipëria është e destinuar "të lulëzojë" në vitet e ardhshme sa i përket turizmit.

Ai pohon se Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë që nga koha e komunizmit. Bealby sjell në vëmendje se kur nisi për herë të parë udhëtimet në Shqipëri, 12 vjet më parë, infrastruktura turistike mungonte plotësisht. Në vend të kësaj, ai u mbështet tek një operator i Channel 4 i cili kishte punuar në luftërat ballkanike. Ky reporter e ndihmoi që të organizonte akomodimin dhe transportin e turistëve.

Bealby e sheh Shqipërinë si pjesë të një vale të re destinacionesh, duke përfshirë Gjeorgjinë, Sllovakinë dhe Pakistanin, që po rriten në popullaritet, por rrezikohet seriozisht nga një braktisje që ka ndodhur me vende të tjera. Ai thekson se Shqipëria tani gjendet përballë faktit që udhëtarët kërkojnë t’i shpëtojnë vendeve që kanë dyndje turistësh. Duke renditur dhe Shqipërinë, ai thotë se këto vende ishin destinacione shumë të veçanta një dekadë më parë, por tani po bëhen më të zakonshme në kushtet kur njerëzit kërkojnë vende të veçanta pa dyndje, për t’u larguar nga turmat.

Një bunker i kohës së komunizmit i ndërtuar në një plazh të Adriatikut në Qerret.

Një bunker i kohës së komunizmit i ndërtuar në një plazh të Adriatikut në Qerret. Foto: Gent Shkullaku/AFP/Getty

Pushues në një plazh në Ksamil, Shqipëri.

Pushues në një plazh në Ksamil. Foto: Xhulio Balliu/Getty/EyeEm

/a.b/noa.al