Transmetuar më 17-01-2022, 10:44

Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, i cili është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Mbërritja e Erdogan në vendin tonë është me një orë vonesë, që sipas burimeve ka ndodhur për shkak të një problemi në nisje nga pala turke.

Mediat shqiptare janë lënë jashtë rrethimit të aeroportit, ndërkohë që ceremonia është transmetuar nga ERTV.

Erdogan pritet që të niset drejt Laçit menjëherë pas ceremonisë në Rinas.

Gjatë ditës ai do të ketë edhe një fjalë në Kuvend, si dhe do të vizitojë xhaminë  e re që është ndërtuar në Tiranë.

Pritja e presidentit të Turqisë po bëhet nën masa të rrepta sigurie, ku shumë rrugë janë të bllokuara.

Në hyrje-daljet kryesore të Lezhës si dhe në hyrje të Laçit ka postoblloqe të shumta.

Gjithashtu përgjatë autostradës Lezhë Milot janë të vendosura forcat Shqiponja. Edhe në lagjen ku pritet të vijë Erdogan, ka forca të shumta policie si ato të Shqipërisë dhe të Turqisë./noa.al