Transmetuar më 05-01-2022, 17:05

Nëse të fusin në objektiv, prite. Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Siç thuhet në njofim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ në Banja Lluka, që ndërlidhet me Dodikun.

“Si rezultat i veprimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronën e individit dhe subjektit të mësipërm që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC.

Gjithashtu, bllokohen edhe çdo subjekt që zotërohet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar.

Me përjashtim të rastit kur autorizohet nga një licencë e përgjithshme ose specifike e lëshuar nga OFAC, ose e përjashtuar, të gjitha transaksionet nga personat e SHBA-së ose brenda (ose transitore) të Shteteve të Bashkuara që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të caktuar ose të bllokuar në mënyra të tjera janë përgjithësisht të ndaluara.

Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të bllokuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga çdo person i tillë”, thotë ndër të tjera Departamenti i Thesarit.

Lajmin për sekuestrimin e pasurive të Dodik e ka shpërndarë dhe Ambasada amerikane në Tiranë.

“Sot, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, përcaktoi publikisht Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së BH & një platformë mediatike të lidhur me të, në përgjigje të aktiviteteve korruptive të tij & kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit & integritetit territorial të BH“, shkruan ambasada.

Më herët, ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se të mërkurën më 5 janar, pritet të shpallen sanksione nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër individëve nga Bosnje dhe Hercegovina.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.

Shefja e diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Turkoviq, tha para gazetarëve më 5 janar se sanksionet do të shpalleshin gjatë ditës, duke bërë të ditur se për këtë çështje ishte punuar për një kohë të gjatë.

Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.

Turkoviq tha se ajo pret gjithashtu që ata që vendosin sanksione të sqarojnë detajet dhe të listojnë entitetet ndaj të cilëve aplikohen ato.