Transmetuar më 13-04-2021, 08:07

Edicion special me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit 

Njeriu, si krijesa më e përkryer e Zotit, për t’u aftësuar që të ngjitet lart shpirtërisht, duhet të ndërmarrë disa veprime praktike, urdhëruar nëpërmjet librave hyjnorë. Një nga këta urdhra e mësime është edhe agjërimi i Ramazanit, që bën pjesë në pesë parimet themelore të fesë islame.

Agjërimi konsiston në ndërprerjen e ngrënies, të pijes, të marrëdhënieve intime bashkëshortore, të marrjes së ndonjë lënde ushqyese a shëruese nëpërmjet gojës, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të plotë (nga syfyri deri në iftar) në harkun kohor prej një muaji hënor, që përbëhet prej 30 ditësh (nganjëherë 29).

Ky urdhër i është dhënë nëpërmjet Kur’anit, Muhamedit a.s. në vitin e dytë të emigrimit nga Meka në Medine me këtë verset: “O ju besimtarë, agjërimi është i detyrueshëm për ju ashtu siç qe edhe për ata popuj që kaluan para jush, (dhe ky bëhet) me qëllim që të ruheni nga të këqijat” (2: 183).

Ky adhurim është universal, pasi, sipas Kuranit, të gjithë popujt, në periudha të ndryshme, e kanë ushtruar këtë praktikë. P.sh. Bibla thotë: “Agjërimi ka qenë ushtruar nga të gjithë popujt dhe në të gjitha kohërat, në kohë pikëllimesh, hidhërimesh, (fatkeqësish) e të këqijash” (Cr. Bibla Con.). Agjërimi është praktikuar edhe prej hinduve e të tjerëve. Edhe kristianët kanë qenë të urdhëruar ta praktikonin këtë formë adhurimi.

Ndërsa agjërimi tek të tjerët kishte karakter privues, Islami solli një ide krejt të ndryshme, duke e bërë një institucion përmirësimi moral, shpirtëror, si dhe me pasoja të mira fizike. Një nga qëllimet kryesore është që njeriu të mësohet për t’u larguar nga të këqijat që shfaqen gjatë jetës, siç e përshkruan ajeti që cituam më lart me frazën mbyllëse “me qëllim që të ruheni nga të këqijat”. E pra, nuk është qëllimi vetëm të privohemi pjesërisht nga ushqimet, por të bëjmë një kurë shpirtërore gjatë një muaji, gjë që do të ndikojë pozitivisht në largimin nga të ligat e nga çdo gjë e paligjshme. Duke u mënjanuar gjatë një muaji nga disa veprime të ligjshme, për një objektiv të caktuar, njeriu bindet me vetëdije që të largohet aq më lehtë nga gjërat që Zoti i ka ndaluar dhe logjika i ka pranuar.

Në fakt, të gjitha institucionet islame në mënyrë praktike të çojnë në pastrimin e shpirtit, por gjatë procesit të ngritjes morale, gjë që synohet me agjërimin, është farkëtimi i besimtarit dhe aftësimi i tij për t’u ruajtur në çdo kohë nga çdo gjë e dëmshme, qoftë në pikëpamje shpirtërore, ashtu edhe në atë fizike.

Ai që arrin të braktisë kënaqësitë e ligjshme e dëshirat e tij për hir të urdhrit të Zotit dhe bindjes ndaj Tij, pajiset me aftësi për të braktisur edhe kënaqësitë paligjshme dhe në pikëpamje fizike, duke e mësuar veten me këtë ushtrim. E tillë duhet të jetë gjendja shpirtërore e një agjëruesi saqë “po të cenohet nga ndokush, i drejtohet me fjalët: jam agjërueshëm”.

Për rëndësinë e agjërimit kanë folur shumë dijetarë myslimanë e jo myslimanë. Spinoza e quan agjërimin “aftësi për të sunduar pasionet”; Avicena thotë se shumë sëmundje që i shpëtojnë doktorit e që vijnë prej ngrënies, një mjet për t’i evituar ato është ndryshimi i regjimit në të ushqyerit, në kohë të caktuar, pra agjërimi. Sipas pikëpamjes së mjekut të njohur gjerman, Otto Buxhinger, të gjithë të rriturit duhet të agjërojnë duke përjashtuar ata që janë të prekur nga turbekulozi, ata që kanë sëmundje stomaku, kancer e diabet. Po kështu edhe mjeku Heinrich Wallnofer, ka thënë: “Shumëkujt i duhet të agjërojë për të evituar sëmundjet. Agjërimi duhet të ndërmerret jo për të zbritur nga pesha, por si përvojë e brendshme, në të cilën jeton vetëm ai që ka agjëruar njëherë”. Një tjetër mjek thotë: “Meqë koha e agjërimit do të thotë një pushim relativ për tretjen e ushqimit, kjo është evitimi i shumë sëmundjeve, kjo është një kurë e rekomanduar nga Kur’ani, e pra në vend të bisturisë së kirurgut bëhet një operacion i tillë”.

Krahas kufizimit të ngrënies në kohë të caktuar, ai që agjëron fizikisht duhet të bëjë një gjë të tillë edhe me sy, me veshë, me gojë dhe me të gjitha pjesët e trupit, domethënë, të mos dëgjojë fjalë të këqija, të mos flasë atë që nuk duhet, të mos shikojë objekte që të joshin për nga e keqja dhe të mos veprojë në kundërshtim me ligjet e normat morale. Atëherë mund të themi se kemi bërë një agjërim sipas urdhrit të Kur’anit. Nëpërmjet agjërimit njeriu kalitet dhe vendos për të mos shkelur rregullat e ligjet, edhe kur e di se nuk e sheh njeri, sepse është i bindur se Zoti di gjithçka që ne bëjmë.

Agjërimi është një shkollë që të shtie ndjenjën e vetëmohimit e të sakrificës. Ai sjell një efekt pozitiv të dukshëm në qëndrimin e shoqërisë. Gjatë periudhës njëmujore të kësaj disipline shembullore ndjenjat e të pasurit zgjohen për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes së gjithanshme të anëtarëve të shoqërisë, që ndonëse nuk janë të një niveli force, pozite e kamje, secili prej tyre luan rolin e një “vide” sado të vogël në një makineri gjigante.

Ismail Muçej