Transmetuar më 22-08-2020, 12:10

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i është bashkuar pelegrinazhit që mbahet në malin e Tomorrit, këto ditë fund gushti.

Prej andej ajo ka ndarë një fotografi me kreun e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmond Brahimaj, apo siç njihet ndryshe si Baba Mondi.

Kryemadhi jep një mesazh, duke shkruar, “Covid-i mundet me oksigjen dhe ku ka më shumë oksigjen se në Malin e Tomorrit! Zoti i bekoftë shqiptarët!”

E shoqëruar nga anëtarja e kryesisë dhe e deleguara për qarkun e Beratit, Elona Guri, Kryemadhi ka vizituar këtë shtunë malin e Tomorrit me rastin e festës së Abaz Aliut.

Në fjalën Kryemadhi uroi që kjo festë të sjellë për të gjithë shqiptarët më shumë begati në mënyrë që ata të jetojnë të qetë me familjen e tyre dhe të kenë një të ardhme më të mirë.

“Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve bektashinj dhe të gjithë popullit shqiptar, ajo mbarësi që Abaz Aliu solli për Shqipërinë të rikthehet dhe një herë për t’u sjellë shqiptarëve më shumë begati, më shumë mundësi, më shumë punësim, një jetë me të qetë dhe garanci për fëmijët. Për të ruajtur familjen që është e shenjtë, ashtu siç është edhe kombi i shenjtë dhe besimi i shenjtë. Zoti i ndihmoftë shqiptarët, zoti i ruajt shqiptarët dhe Shqipërinë të gjithë bashkë, edhe juve”, tha kryetarja e LSI.

Prej vitesh në teqenë e Kulmakut që ndodhet në malin e Tomorrit, shkojnë me qindra mijëra pelegrinë, të cilët kalojnë natën në mal në çadra dhe kampingje të improvizuara.

Ata luten në teqe dhe pranë varrit të Abaz Aliut për shëndet dhe mbarësi. /a.y/noa.al