Transmetuar më 23-07-2020, 10:33

Akti normativ i qeverisë i cili ndalon lokalet e natës, dhe klubet me muzikë pas orës 20.00 të mbrëmjes, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, është ngritur si shqetësim në Parlament.

Deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri, tha se lokalet dhe pishinat që kanë lidhje me politikanët i mbajnë aktivitetet hapur.

Sipas tij, akti normativ që ndalon lokalet me muzikë është sjellje arrogante e qeverisë dhe ministrit të Brendshëm.

“Kjo më bën që t’u kërkoj si kryetar Kuvendi dhe si një nga njerëzit më të pushtetshëm e me reputacion në Partinë Socialiste që të ndërhyni që të rishikohet e të bëhet plan financiar për këtë kategori 60 mijë personash që punojnë me kohë të plotë apo sezonalë e presin këtë sezon për të çuar bukën e gojës në shtëpi. Në Shqipëri sot ky akt normativ bëhet me seleksionim, disa biznese që kanë lidhje me deputetë të zonave, shefa komisariatesh, njerëz të fuqishëm mbajnë bizneset, pishinat e klubet hapur, të pamundurit s’mund të hapin as qepenin se u shkojnë 20 forca policie”, u shpreh Valteri.

Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste dhe ministrave që ta rishikojnë aktin normativ. /a.y/noa.al