Transmetuar më 06-07-2020, 19:57

Në një intervistë ekskluzive për "NOA.al",  avokatja dhe studiuesja e njohur shqiptare në Oksford, Rudina Jasini, flet për eksperiencën e saj jashtë, teksa bën dallim mes Shqipërisë dhe botës së zhvilluar

Intervistoi: Aranit Muraçi

Është padyshim një histori suksesi për shqiptarët në botë, ndonëse nuk parapëlqen ta quajë veten të tillë. Ndoshta ndodhet në një fazë të karrierës, ku beson se ka ende shumë për të arritur.

Rudina Jasini, aktualisht avokate dhe doktore shkencash në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare Penale pranë Universitetit të Oksfordit, u largua vite më parë nga Shqipëria falë bursës "Fulbright", që thotë si i ofroi jo vetëm një mundësi për të studiuar jashtë Shqipërisë, por i dha mundësinë për një mënyrë tjetër të të menduarit dhe të analizuarit, sidomos të menduarit kritik.

Me përfundimin e studimeve në Georgetown, ajo i është bashkuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku edhe ishte juriste në grupin mbrojtës në çështjen Haradinaj. Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë, përfundoi post-doktoraturën në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare pranë Universitetit të Oksfordit, ku edhe punon dhe studion sot. 

Edhe pse fizikisht larg Shqipërisë, ajo ka treguar se mbetet e lidhur shpirtërisht me vendlindjen e saj. Mbi eksperiencën dhe përvojën e saj, avokatja dhe studiuesja shqiptare e Oksfordit nuk është kursyer për të dhënë ndihmesën e saj, përmes raporteve të shumta mbi statusin e të drejtave të njeriut, pavarësisë së gjyqësorit në vendin tonë, duke asistuar në gjykatën kushtetuese, dhomën kombëtare të avokatisë, atë të gjykatës së lartë, apo reformës në tërësi të drejtësisë:     

Rudina, çdokush ka dilema për të ardhmen sidoemos kur duhet të zgjedhë në jetë për vendimet më të rëndësishme që duhet të marrë. Sa i vështirë ka qenë për ju largimi nga Shqipëria dhe përse vendosët që ta zhvillonit karrierën tuaj akademike dhe profesionale në perëndim?

Mendoj se dëshira, ambicia dhe vizioni për të zgjeruar horizontin e dijes përtej kufijve të Shqipërisë ka qenë shumë më i madh tek unë se sa çdo perceptim i vështirësisë për t’u larguar që mund të kem patur në atë kohë. Largimi ka ardhur si një proces i natyrshëm dhe reflektim i kërkesës së brendshme dhe këmbënguljes për të arritur standartet e duhura, për të aplikuar në universitete jashtë Shqipërisë. Unë jam larguar nga Shqipëria me bursën e Fulbright-it, për të kryer studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Georgetown në Uashington DC. Fulbright ofroi jo vetëm një mundësi për të studiuar jashtë Shqipërisë, por mbi të gjitha një platformë për një mënyrë tjetër të të menduarit dhe të analizuarit, sidomos të menduarit kritik. Me përfundimin e studimeve në Georgetown, i jam bashkuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, fillimisht si intern dhe më pas si juriste në grupin e mbrojtës në çështjen Haradinaj. Në përfundim të procesit të parë penal të kësaj çështjeje në Hagë, unë jam zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar ku kam vazhduar studimet fillimisht për një master për Drejtësi Penale dhe Kriminologji, dhe më pas doktoraturën dhe post-doktoraturën në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare pranë Universitetit të Oksfordit.

Keni kryer studimet pasuniversitare në SHBA dhe Angli. Prej kohësh jeni avokate dhe studiuese e së Drejtës Ndërkombëtare Penale pranë Universitetit të Oksfordit. A e ndjeni veten të vlerësuar me punën dhe përpjekjet tuaja, në fushën akademike dhe profesionale?

Është vërtet kënaqësi dhe privilegj të punosh në institucione të tilla si Universiteti i Oksfordit si dhe të jesh pjesë e shoqërive që të vlerësojnë për kontributin intelektual, profesional dhe njerëzor që sjell. Dua të theksoj që institucionet ku unë kam studiuar dhe punuar karakterizohen nga diversiteti dhe multikulturalizmi, dhe që të përbashkët kanë punën dhe vlerat që individet përfaqësojnë, dhe jo domosdoshmërisht vendin e origjinës apo kulturën nga vijnë. Edhe pse në mënyrë të padiskutueshme kulturat nga ne vijmë i pasurojnë këto institucione dhe konsiderohen si një vlerë e shtuar e tyre. Por duhet të kuptojmë që pranimi në këto institucione vjen vetëm si rezultat i arritjes së standarteve akademike dhe profesionale të nivelit të lartë, si dhe e një konkurence të fortë dhe të hapur.

A e keni menduar ndonjëherë: Po nëse do të qëndroja Shqipëri, ku do të isha tani?

Reflektova mbi pyetjen tuaj, dhe mendova në retrospektivë nëse ky mendim më kishte shkuar ndonjëherë në mendje. Në fakt kjo është një pyetje që realisht unë nuk ia kam bërë asnjeherë vetes, të paktën jo me vetëdije. Mbase kjo ka të bëjë me faktin që në imagjinatën time, unë nuk e kam parë veten asnjëherë në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që në një të ardhme, unë të mos gjendem aty, nëse rrethanat dhe kushtet do të ishin të tilla, ku të jetuarit për disa vite në Shqipëri do të vinte natyrshëm tek unë.

Në Shqipëri shpesh ka një perceptim se njerëz të padenjë, pa asnjë meritë, të paarsimuar, çuditërisht bëjnë karrierë në botën akademike, politike dhe në fusha të tjera të rëndësishme të jetës, si në drejtësi, ekonomi etj. A është i drejtë ky percpeptim në këndvështrimin tuaj?

Mendoj se perceptimi në Shqipëri, nëse ekziston i tillë, është reflektim i një realiteti që nuk e sheh meritokracinë si një shtyllë themelore të shoqërisë. Unë nuk njoh asnjë në rrethin tim profesional dhe personal në vendin ku jetoj si dhe në vendet e tjera ku kam jetuar dhe punuar, që të ketë arritur aty pa meritë. Do të ishte pothuajse në nivelin e të pakonceptueshmes. Mendoj se praktika e nepotizmit dhe mungesa e meritokracisë është një pengesë shumë e madhe për zhvillimin individual dhe avancimin e shoqërisë.

Cili është dallimi i nivelit të arsimit në Shqipëri krahasur me vendet e tjera, bazuar mbi njohuritë dhe eksperiencën tuaj?

Dallimet janë të shumta dhe në disa dimensione. Mendimet që unë ndaj këtu lidhen me eksperiencën time personale dhe mund të mos jenë tregues të mirë apo të përditësuar të standarteve aktuale të arsimit në Shqipëri. Së pari, metodologjia e ndjekur në edukim është shumë e ndryshme. Të paktën në kohën kur unë kam studiuar në Shqipëri, në institucionet e edukimit theksohej më shumë të mësuarit mekanik dhe të stimuluarit të aftësisë për të mbajtur mend sesa të menduarit analitik dhe kritik. Ndërsa në universitetet në SHBA dhe Britaninë e Madhe, ku unë kam studiuar, të menduarit analitik si dhe aftësia për të shkruajtur ese të mbështetura në analiza dhe argumenta përbëjnë elementet bazë të gjithë edukimit parauniversitar dhe universitar. Së dyti, investimi individual dhe institucional në universitetet ndërkombëtare lidhur me trajnimin e vazhdueshëm të mësueseve dhe profesorëve është shumë i madh. Së treti, mungesa e theksuar e punimit shkencor dhe akademik në Shqipëri, është në nivel dëshpërues. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i moskrijimit të politikave dhe standarteve të qarta të punimit shkencor në Shqipëri, të mungesës së kushteve bazë laboratorike, teknike apo financiare për hulumtim shkencor pranë universiteteve, si dhe të mosvendosjes së standarteve të larta te punimit dhe publikimit shkencor, si bazë për punësimin e stafit akademik pranë këtyre universiteteve. Shqipëria është ndër vendet me renditjen më të ulët në Europë për hulumtim dhe punim shkencor. Është për të ardhur keq, që edhe ato grante që janë të dispoueshme në nivel rajonal apo europian nuk arrihen të shfrytëzohen dhe të përvetësohen nga akademikët shqiptarë. Kjo edhe për shkak të mungesës të mbështetjes institucionale, trajnimit dhe eksperiencës së studiuesve dhe akademikëve tanë lidhur me proceset e aplikimit për të siguruar fonde dhe grante akademike. Gjithsesi, pavarësisht kufizimeve të mëdha sistemike që ekzistojnë në Shqipëri në lidhje me kërkimin shkencor, dua të theksoj që është për t’u admiruar përpjekja individuale e disa studiusve, të cilët me shumë mund dhe në kushte të vështira arrijnë të mbledhin grante të vogla dhe realizojnë studime shkencore në mënyrë të pavarur.

Dua gjithashtu të shtoj që në një këndvështrim historik shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një popull arsimdashës dhe që prindërit shqiptarë bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për edukimin e fëmijëve të tyre, gati të pakrahasueshme me kulturën e vendeve ku unë kam studiuar dhe jetuar. Por kryesisht duke synuar që fëmijet e tyre të studiojnë jashtë. Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme që të punohet më tepër për të ngritur nivelin e arsimit dhe punës akademike shkencore brenda Shqipërisë.

A keni vërejtur ndonjë studim të vlefshëm në vendin tonë gjatë viteve të fundit, që mund t’ju ketë tërhequr vëmendjen?

Besoj se këtu e keni fjalën për studim akademik shkencor. Më vjen keq që nuk më ka rastisur të shfletoj ndonjë studim apo punim shkencor në disiplinën time që ta kem vlerësuar si një kontribut të vlefshëm shkencor. Jam e sigurt që punime të tilla duhet të ketë, por mbase ato nuk kanë arritur deri tek unë.

Reforma në Drejtësi është duke ecur përmes kontestimeve të shumta. A e keni ndjekur ecurinë e saj dhe a besoni që është e duhura, për progresin e vendit tonë drejt BE-së?

Në parim dua të them se reforma në drejtësi përfaqëson në vetvete një proces shumë të rëndësishëm dhe mëse të nëvojshëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Por implementimi, garantimi dhe suksesi i kësaj reforme mund të funksionojë vetëm atëherë kur kemi një balancim të ekulibruar pushtetesh, gjë që kjo dukshëm mungon aktualisht në Shqipëri. Shumë nga strukturat dhe institucionet që janë ngritur në kuadër të kësaj reforme janë bërë me legjislacion të kaluar nga një pushtet legjislativ pothuajse një partiak, pra, këtu mungon fryma e parlamentarizmit të vërtetë. Mendoj se implementimi i reformës në drejtësi sot i përngjason më shumë një eksperimenti, dhe si i tillë ka sjellë pasoja të dukshme të nje procesi prove dhe jo të një strategjie të mirëmenduar. Ne kemi një sistem drejtësie që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende një sistem i ri funksional. Përkundrazi kjo reformë ka rezultuar prej katër vjetësh në një paralizim të pushtetit gjyqësor praktikisht me një gjykatë kushtetuese dhe një gjykatë të lartë jo funksionale

Përse besoni se kjo reformë mbështetet kryesisht nga ndërkombëtarët dhe kontestohet ose pengohet nga shqiptarët?

Unë nuk mendoj se reforma në drejtësi po kontestohet nga shqiptarët, pasi në parim të gjithë e kuptojnë që kjo reformë është mëse e nevojshme. Por mendoj se është pikërisht implementimi i saj që ka rezultuar në mosfunksionimin e duhur të pushtetit gjyqësor, i cili ka sjellë pakënaqësi dhe deri diku edhe zhgënjim. Lidhur me rolin e ndërkombëtarëve duhet të kuptojmë se, suksesi i kësaj reforme është një objektiv i rëndësishëm për ta si dhe institucionet që ata perfaqësojnë. Reforma ka mbështetjen financiare të BE-së dhe SHBA-së dhe është ngritur e gjitha për ti dhënë mundësi sistemit të drejtësisë që të ristrukturohet me qëllim që të trajtojë në mënyrën e duhur korrupsionin, krimin e organizuar dhe administrimin e drejtë të drejtësisë në Shqipëri. Por në këtë këndvështrim, Shqipëria do të përbënte një rast studimor, për të vlerësuar së çfarë ndodh me ecurinë e një shteti kur aplikohet një reformë drastike e thelluar e sistemit të drejtësisë.

E kujt është përgjegjësia kryesore mbi gjendjen aktuale të arsimit dhe drejtësisë në Shqipëri?

Përgjegjësia nuk i përket një individi, por një sistemi individësh dhe institucionesh që për 30 vjet nuk ndanë një vizion të përbashkët, për ngritjen me standarte të larta dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shtyllave bazë të funskionimit të sistemit të drejtësisë dhe atij arsimor, sikundër edhe çdo sektori tjetër të shoqërisë.

A ndjeni ndonjëherë ndonjë keqardhje për Shqipërinë. Nëse po, cila është ajo?

Me shumë se keqardhje ndjej ndonjëherë frustrim kur shoh se çfarë potenciali ka Shqipëria dhe se sa herë zhvillimi i saj mbetet peng i vlerave materiale dhe interesave individuale. Do të ishte më mirë sikur të ngriheshim mbi to dhe të ushqejmë më shumë tek vetja vlerat sociale dhe vullnetin për të ecur përpara së bashku.

Çfarë sugjerimi do t’ju jepnit të rinjve shqiptarë, që besojnë se vetëm përmes arsimit dhe një demokracie, garantuese për të drejtat e gjithsecilit, mund t’ja dalin mbanë?   

Vetëm nëpërmjet edukimit dhe dijes, disiplinës dhe punës së fortë mund të ecësh përpara, mund të kuptosh se cili është potenciali yt dhe çfarë vlerash mund të sjellësh. Kjo është baza e vetme mbi të cilën ti mund të japësh kontributin dhe impaktin tënd tek fusha apo disiplina ku punon, tek komuniteti që të rrethon dhe mbi të gjitha një impakt pozitiv në shoqëri. Kjo për mua është një busull e orientimit tim si individ, të mënyrës se si e drejtoj jetën dhe se çfarë kërkoj të arrij me të. Të zbulosh atë për të cilën ti ke vërtet pasion, të punosh fort për të arritur potencialin tënd dhe më pas të kërkosh mënyrat për t’i ofruar të tjerëve atë që ti arrin si një kontribut në shoqëri, është arritja më e madhe që ti mund të kesh si individ.

/NOA.al