Transmetuar më 07-05-2020, 19:13

Gjykata e Gostivarit në Maqedoninë e Veriut ka dënuar me burg 30-vjeçaren shqiptare Blerta Pocesta, e cila është gjetur fajtore për vrasjen e nënës, babait dhe motrës së saj, ngjarje kjo e ndodhur më 27 gusht të vitit 2018, në Dibër të Madhe.

Familja Pocesta jetonte në Pordenone të Italisë, por kishte shkuar në Dibër të Madhe, vendin e tyre të origjinës për të marrë pjesë në një dasmë të miqve të tyre. Pas ceremonisë festive, Blerta qëlloi me pistoletë nënën e saj, Nazmijen, 53 vjeç, të atin, Amidin, 55 vjeç dhe motrën 14-vjeçare Anila.

Ajo u arrestua në Itali, ku ishte kthyer menjëherë pas krimit dhe iu dorëzua për gjykim autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Një bashkëpunëtor në krim, Ferdi Gashi, u dënua me 10 vjet burg, ndërsa me 3 vite u dënua 60-vjeçari Vehab Gllobiçishta, i cili e ndihmoi autoren e krimit të largohej nga Maqedonia e Veriut.

Mediat italiane dhe ato maqedonase citojnë disa dëshmi të 30-vjeçares në prokurori dhe gjykatë, ku ajo ishte shprehur se i kishte vrarë për shkak se nuk e lejonin të martohej me një italian.

Blerta Pocesta punonte si sekretare në një kompani, ndërsa policia italiane e kishte skeduar si përdoruese droge. Në fotogaleri shikoni pamjet e të dënuarës dhe të ndjerët.