


Një shqiptar i dënuar në Itali, me 22 vite burg, është arratisur nga spitali i burgut.
Më konkretisht 50-vjeçari Nimon Zogaj u arratis nga spitali i Maggiore ku ishte i shtruar, duke arritur ti shpëtojë vëmendjes së policisë.
Zogaj njihet si bos i trafikut të drogës, ndërkohë që policia italiane vijon intensivisht kërkimet për gjetjen e tij, pasi rezulton me precedentë penalë, krahas Italisë edhe në disa vende të Ballkanit.
Ai ndodhej në burg që nga muaji dhjetor i vitit 2016, por kur policia kaloi pranë dhomës së tij të spitalit për kontrollin rutinë, e gjeti krevatin bosh.
Prej tij kanë humbur gjurmët prej disa ditësh, ndërkohë që lajmi i arratisë u bë publik vetëm këtë të shtunë.
Zogaj u arrestua në dhjetor të 2016, pas 11 vitesh në kërkim, në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës.
I dyshuari njihej si pikë referimin për trafikimin e drogës, në zonën e Lombardisë.
Por ai është arratisur edhe një herë më parë. Kur kuptoi që situata në Itali u bë e rrezikshme, u arratis në Zvicër, prej ku u ekstradua në vitin 2005.
Pas një muaj qëndrimi në burg në Itali, u la në liri me kusht, por prej tij humbën gjurmët. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





