Transmetuar më 09-12-2017, 12:23

Ndërsa vijojnë ende hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ekzekutimit mëngjesin e sotëm në Lezhë të vëllait të ish-deputetit, policia ka sekuestruar celularin e Aleksandër Ndokës, këshilltarit bashkiak, trupi i të cilit u gjet i pajetë brenda automjetit të tij.

Sekuestrimi ka ardhur në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen për zbulimin e autorëve, hetim i vështirë pasi viktima nuk rezultonte me konflikte apo me precedentë penalë.

Ndoka dyshohet se është vrarë me armë zjarri të llojit automatik kallashnikov me silenciator. Në një distancë prej dy metrash, autorët që mendohet të jenë dy, kanë shtënë drejt tij me 14 plumba.

Kaq është edhe numri i gëzhojave që ka gjetur policia në vendin e ngjarjes, pranë banesës së viktimës. 

Aleksandër Ndoka, 48 vjeç, është vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndokës; këtij të fundit iu hoq mandati për shkak të ligjit të dekriminalizimit, faktit se kishte qenë i dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore.

Policia është duke hetuar në disa pista, përfshirë edhe konfliktet e të birit të viktimës, 19-vjeçarit me precedentë penalë.

Gjithashtu nuk përjashtohet që dy autorët e ekzekutimit të 48 vjeçarit të jenë vrasës me pagesë, por për këtë pritet edhe deklaratë zyrtare nga ana e policisë.

Më herët policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth pasi vetë banesa e Ndokës nuk kishte të instaluara kamera sigurie. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd