Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryetarin e Asamblesë, zotin Talat Xhaferi.
Presidenti Meta e uroi edhe njëherë zotin Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe.
Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribuues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm, ku ndodhet Maqedonia dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd