Transmetuar më 23-10-2017, 16:11

Grupi Balfin njofton blerjen nëpërmjet kompanisë së krijuar rishtazi në Maqedoni, Skopje East Gate, të një sipërfaqe prej 155,000 m2, të ndodhur rreth 1.5 km larg qendrës së Shkupit, në kryqëzimin e dy rrugëve kryesore, Aleksandri i Madh dhe Belasitsa.

Kompania planifikon të zhvillojë projektin e parë të zhvillimit të pasurive të patundshme sipas një koncepti multifunksional me mbi 250,000 m2 sipërfaqe ndërtimi bruto, që vlerësohet të jetë investimi më i madh privat i këtij lloji në Maqedoni.

Planet e zhvillimit përfshijnë një qendër të re tregtare prej 45,000 m2, një bllok rezidencial dhe një qendër zyrash. Investimi total i kompanisë është planifikuar të jetë rreth 180 milionë euro në një periudhë prej 5-7 vjetësh, duke krijuar mijëra vende të reja pune.

Kompania deklaron se qendra tregtare do të jetë ajo që do të ndërtohet dhe zhvillohet fillimisht, e më pas apartamentet dhe qendra e zyrave do të ndërtohen përgjatë 5 – 7 viteve të ardhshme.

Grupi Balfin është aksioneri më i madh i Skopje East Gate Real Estate Development dhe ky projekt do të zhvillohet më tej në të ardhmen me pjesëmarrjen e investitorëve lokal dhe ndërkombëtarë.

Grupi Balfin ka zhvilluar me sukses Skopje City Mall, një qendër tregtare, e cila u shit vitin e kaluar një investitori të huaj, duke shënuar transaksionin më të madh imobiliar në tregun e kapitaleve në Maqedoni.

Balfin është një ndër grupet private më të mëdha investuese në rajon, portofoli i të cilit përfshin investime në qendrat tregtare, zhvillime të zonave rezidenciale dhe tregtare si dhe aktivitete të shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo dhe dyqane Fashion.

Nisur nga suksesi i Skopje City Mall dhe dëshirës së madhe për të përhapur më shumë retailers në Maqedoni, hapja e një qendre të re tregtare u vlerësua si një mundësi investimi mjaft e leverdisshme, financimi i së cilës do të mbulohet nga ortaket e SEG në bashkëpunim me institucione financiare lokale dhe ndërkombëtare.

Qendra do të ndërtohet në 2 nivele me rreth 2500 vende parkimi nëntokësore. Vendndodhja dhe madhësia e qendrës së re paraqet baza solide, ku përveç markave ekzistuese në treg do të ketë edhe marka të reja ndërkombëtare.

Së bashku me qendrën tregtare, zona e re me sipërfaqe ndërtimi prej 100 000 m2 për banesa të reja, është planifikuar të ndërtohet përgjatë 5 viteve të ardhshme. /noa.al/