Transmetuar më 17-10-2017, 09:32

Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka dalë sot para mediave për t’i kërkuar sërish llogari kryeministrit Rama pas arrestimit të Moisi Habilajt nga policia italiane për trafik droge, një nga personazhet e akuzuar nga PD për lidhje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Rama për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa theksoi se sot erdhi ora e vendimeve të mëdha që Tahiri të arrestohet dhe procesi të nisë pa vonesë.

"Policia italiane arrestoi Moisi Habilaj, kreun e një prej bandave më të rrezikshme e të fuqishme të trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë. Moisi Habilaj njihet si kushëri i Saimir Tahirit. Katër vite me radhë PD ka denoncuar 1400 herë lidhjet e Tahirit me narkotrafikun, me bandën e Habilaj.

Mbi 1400 herë Rama e ka marrë në mbrojtje Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarrë hapa politikë dhe ligjorë edhe atëherë kur lidhja e Tahirit me narkotrafikun u dëshmua nga Dritan Zagani që denoncoi se banda përdorte audin e famshëm të Tahirit. Prej 24 orësh Rama hesht. Prej 24 orësh në emër të opozitës dhe besoj edhe në emër të shqiptarëve të ndershëm i kam bërë pyetjen çfarë do thuash tani që Habilaj ndodhet në pranga.

Sot është dita që Saimir Tahiri të arrestohet. Çfarë pret Edi Rama: t’i vërë prangat apo ta ekstradojë, si një nga kapitenët e drogës?! Nuk pres përgjigje nga Rama. Rama e ka mbrojtur edhe pse e di që ai është mbrojtës dhe përfitues direkt i Habilajve", tha Basha. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd