Transmetuar më 01-07-2017, 08:31

Konflikti për pronën shkaktoi viktimën e radhës në vendin tonë, ku i vrarë mbeti mjeku Ilir Aliaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 23.40 minuta të mbrëmjes së të premtes (30 qershor 2017) në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër dhe gjithçka mësohet se ka ardhur pas një konflikti mes viktimës dhe autorit të dyshuar të ngjarjes, Dritan Ymeraj.

Mësohet se fqinjët kishin patur edhe më herët debate mes tyre për një shtesë që po ndërtohej mbi katin e tretë të pallatit ku jetonin Aliaj dhe Ymeraj. Konfliktet kishin agravuar mbrëmjen e së premtes deri në tone të ashpra e fyerje, saqë në një moment Ymeraj ka marrë armën e zjarrit dhe ka shtënë dy herë në drejtim të Aliaj, në prezencë të fëmijëve të tij dhe bashkëshortes, duke e lënë të vdekur në vend.

Forca të shumta policie dhe FNSH e Shkodrës mbërriti në vendngjarje ku nisën hetimet dhe u vunë në kërkim të autorit të dyshuar. Megjithëse deklarimet e familjarëve të viktimës, por edhe fqinjëve ishin se autori i dyshuar ishte larguar pas ngjarjes me automjetin e tij, policia kishte dyshime se ai ndodhej në banesë dhe për këtë kërkoi përforcimet e forcave RENEA nga Tirana.

Ardhja e tyre shënoi plot 5 orë kërkime dhe thirrje në banesën e autorit të dyshuar që jetonte i vetëm për dorëzim, por në fund rezultoi se ato kishin qenë të kota, pasi ai nuk ndodhej brenda. Orët e pritjes dhe përqendrimi i policisë përreth banesës i kanë dhënë mundësinë këtij të fundit të largohej edhe më shumë nga vendi i ngjarjes për t’iu fshehur forcave policore.

Mjeku i ndjerë Aliaj dhe autori i dyshuar Demiraj sipas raportimeve të familjarëve dhe fqinjëve kishin patur disa herë debate të forta mes tyre rreth shtesës në pallatin parafabrikat, i cili prej tyre ka pësuar ndryshime duke i shtuar 1 kat më shumë, e ku mjeku Aliaj kishte programuar shtimin edhe të katit të katërt.

Këtu mësohet se ka qenë edhe zanafilla e konfliktit mes palëve që degjeneroi mbrëmjen e së premtes në përdorimin e armës duke lënë të vdekur mjekun Aliaj.