Transmetuar më 29-06-2017, 09:48

Institucioni i Parasë Elektronike Vodafone M-Pesa SHPK, njoftoi sot se ka vendosur të mbyllë shërbimet e saj më datë 14 korrik 2017.

Përmes një njoftimi që bëri publik për abonentët, Vodafone Albania tha se “shërbimet M-Pesa do të ofrohen deri më datë 14/07/2017”.

Kompania i bën thirrje personave që kanë para në llogaritë M-Pesa që t’i tërheqin fondet e llogarisë në një nga dyqanet Vodafone në Shqipëri, brenda datës 29/07/2017. Komisioni i tërheqjes është 0 lekë.

Vodafone thotë se pas kësaj date kontrata që klientët kanë me Vodafone M-Pesa është e zgjidhur bazuar në nenin 19/2 të Kushteve dhe Afateve.

Sipas këtij neni, “secila nga palët ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e njëanshme të Marrëveshjes në përputhje me parashikimet e saj, duke i dhënë palës tjetër njoftim me shkrim 30 ditë përpara”.

Çdo klient i shoqërisë Vodafone Albania SHA që kishte një kartë SIM aktiv të këtij operatori mund të regjistrohej për Shërbimin M-Pesa.

Zyrtarisht nuk jepen arsyet pse Vodafone Albania ka vendosur të ndërpresë shërbimet M-Pesa, të cilat ishin një mundësi e mirë për të avancuar në përdorimin elektronik të parasë.

Shërbimi i klientit në një numër telefoni që kompania ka në dispozicion për informacion, thotë se ndërprerja e këtij shërbimi, është një vendim i brendshëm i kompanisë.

NOA kërkoi një informacion edhe nga Banka e Shqipërisë dhe mbetet në pritje të reagimit zyrtar të saj. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd