Transmetuar më 24-01-2017, 15:36

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar lidhur me vendimin e autoriteteve greke për të dënuar rekrutët me origjinë shqiptare të cilët dolën në foto me simbolin kombëtar të shqiponjës, duke dënuar me ashpërsi ngjarjen.

Me anë të një njoftimi për shtyp, PDIU thekson se Greqia është ende e ngërthyer në nacionalizmin e shekullit të shkuar, duke mos pranuar sipas saj identitetin ndryshe të shtetasve të saj. Ndër të tjera partia çame pohon se Greqia është i vetmi vend europian që nuk njeh minoritetet dhe nuk pranon se një shtetas grek mund të ketë kombësi apo besim fetar të ndryshëm.

“Greqia është ende e ngërthyer në nacionalizmin e shekullit të shkuar, duke mos pranuar identitetin ndryshe të shtetasve të saj. Është e njëjta gjë sikur Shqipëria të mos pranonte në ushtri asnjë minoritar, e për më tepër të mendojë që këta shtetas do mund të ishin deputetë, kryetarë bashkie apo ministra që në Shqipëri i gjen shpesh.

Kujtojmë që në raste skandaloze, si parada zyrtare e ushtrisë greke, ku këndoheshin këngë që thërrisnin për vrasjen e shqiptarëve, qeveria greke nuk ndërmori të njëjtat veprime. Autoritetet shtetërore greke po rrëfejnë mosrespekt të thellë për të drejtat e njeriut, po na shfaqen me nota primitiviteti dhe atavizmi edhe përballë respektimit të shtetasve të vet”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.

Më tej PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare të njohë partnerët tanë në NATO mbi shkeljet e vazhdueshme që shteti grek bën ndaj bashkëkombësve tanë duke nisur nga shkelja e hapur dhe e vazhdueshme e të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Kërkojmë gjithashtu që të bëhen me dije këto veprime në dhunim të drejtave të njeriut në instancat e Këshillit të Europës, OSBE, BE dhe OKB, ku respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve ka një rëndësi primare”, përfundon PDIU deklaratën./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd