Transmetuar më 04-12-2016, 13:22

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur  në qytetin e Fierit, ku 52 vjeçari dyshohet se hodhi nga dritarja e tualetit të banesës bashkëshorten e tij, fqinjët tregojnë sesi e njohin çiftin.

Sipas tyre Liljana Ruko, ishte një grua shumë e mirë dhe punonte në rrobaqepësi. Të shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur, fqinjët thonë se "nuk dimë që Liljana të ketë pasur probleme me bashkëshortin".

Ditën e djeshme, rreth orës 15:45, 52 vjeçari Ferdinand Ruko dyshohet se hodhi nga kati i katërt i pallatit bashkëshorten e tij, e cila gjeti vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Kryengritja e Fierit". Pas kësaj policia ka arrestuar Rukon, i cili ka pranuar autorësinë e krimit dhe gjatë marrjes në pyetje nga policia ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.

Sipas burimeve, autori i dyshuar kishte mbyllur dy fëmijët në njërën dhomë të banesës dhe më pas kishte futur në tualet bashkëshorten, të cilën pasi e kishte zhveshur dhe dhunuar e hodhi nga dritarja.

Ai ka pohuar se ka pasur konflikte me bashkëshorten për shkak se ishte xheloz. Gjithashtu mësohet se çifti së bashku me dy fëmijët sapo ishte kthyer nga Gjermania, pasi autoritetet gjermane u kishin refuzuar kërkesën për azil.

Dëshmia/ E hodhi gruan me kokë poshtë

Një dëshmitar okular, i cili nuk kishte njohje as me viktimën, por as me autorin e krimit makabër në Fier ka rrëfyer ngjarjen tronditëse për “oranews”. Dëshmitari është tronditur nga ngjarja e rëndë në familjen Ruko. “Kalova rastësisht aty, as nuk i njihja fare.

Dëgjova ulërima dhe ngrita kokën lart. E pashë gruan e lemerisur dhe lakuriq teksa ai e nxirrte jashtë nga dritarja. E hodhi me kokë poshtë. Nuk mundëm të bënim asgjë. Jemi të tronditur”, tha ai.