Transmetuar më 04-12-2016, 07:21

Ata kishin vetëm dy javë që ishin kthyer nga Gjermania. Por, kthimi në atdhe rezultoi fatal për 42-vjeçaren nga Fieri, Liljana Ruko. Edhe pse fqinjët i njihnin për familje të qetë dhe pa probleme, dje në mesditë mes Liljanës dhe bashkëshortit të saj, Ferdinand Ruko ka pasur një sherr rreth orës 15:43.

Fredi Ruko nga Fieri ka pranuar përpara hetuesve se hodhi gruan nga dritarja pas një sherri që pati me të.

“Dyshoja tek gruaja ime, u zumë dhe debatuam ashpër. E futa në banjë, e zhvesha, e rraha dhe pastaj e hodha nga dritarja”, ka thënë në komisariatin e policisë 52-vjeçari, i cili hodhi nga dritarja e banjës bashkëshorten e tij Liljana Ruko, shkruan oranews.

Mamaja e dy fëmijëve ndërroi jetë rrugës për në spital. Burri pranoi gjithashtu se edhe në Gjermani ka patur probleme me bashkëshorten e tij. “Edhe në Gjermani i kam pasur këto debate”, ka thënë ai para grupit hetimor që e mori në pyetje.

Komshinjtë kanë dëgjuar zënka, debate me zë të lartë. Ata thonë se më pas kanë parë momentin kur 52 vjeçari e ka hedhur gruan e tij, nënë e dy fëmijëve, nga dritarja. Edhe pse janë munduar që ta shpëtojnë, ajo nuk ka mundur të mbijetojë duke ndërruar jetë gjatë rrugës për spital.

Të hënën pritet që 52 vjeçari Fredi Ruko të dalë para togave të zeza për të marrë masën e sigurisë.