
Vëmendja e medieve botërore po bëhet gjithnjë e më e madhe ndaj Shqipërisë dhe perlave të saj natyrore.
Shumë portale të specializuara për turizmin po vlerësojnë bukuritë e vendit dhe resurset e tij.
Riviera shqiptare është më e vlerësuara nga mediat e huaja.
Lonely Planet, së fundi e ka vlerësuar Palasën si plazhin e parë më të bukur në Shqipëri.
Independent Balkan Neës Agency, portali që sjell lajme profesionale dhe cilësore nga të gjitha vendet e Ballkanit, në një raport të publikuar këto ditë, ndalet te jugu i Shqipërisë.
Shkrimi, linkun e të cilit e gjeni këtu, evidenton se Palasa, cilësuar vazhdimisht si Parajsa e pazbuluar e Mesdheut, me një kombinim ideal mes të kaltrës, blusë dhe të gjelbrës, sugjerohet si vendi ideal për t’u vizituar.
Vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve sidomos në jug, në Rivierë.
Por, përpos dëshirës së madhe të turistëve të huaj për të kaluar pushimet në Shqipëri, ne nuk kemi kapacitet akomodues dhe standard në turizëm. Gjendja me të cilën përballesh në çdo zonë në jug, të bën të kuptosh që mungon koncepti turizmit, menaxhimit dhe shërbimit.
E në këto kushte mungese, vëmendjen e tërheq resorti i parë që po ndërtohet atje. Grupi Balfin po ndërton në Palasë, me një investim 52 milionë euro, kompleksin “Green Coast”. Bëhet fjalë për një kompleks që vjen si risi në jugun shqiptar.
Klodiana Ajazi, drejtuese e Marketingut dhe e Shitjeve e Green Coast duke folur me Independent Balkan Neës Agency thotë se në këtë kompleks kombinohet banimi nëpërmjet shitjes së apartamenteve dhe vilave, me turizmin nëpërmjet shërbimeve dhe hotelerisë.
Ajazi pohon se po kushtohet fokus i veçantë mbrojtjes së mjedisit dhe infrastrukturës moderne, gjë e cila ndodh rrallë në ndërtimet në Shqipëri. Edhe Qeveria shqiptare thotë se po i kushton rëndësi të veçantë turizmit në jug. Ndaj në mbledhjen e fundit ka miratuar lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Green Coast”, në Palasë pranë Himarës.
Më herët në mesin e korrikut, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha këtij kompleksi që po ndërtohet, statusin e investimit strategjik.
Në fakt edhe Ajazi e quan Palasën si zgjedhje të një vendi strategjik. Por e rëndësishme për ta është që të rritet niveli i turizmit duke u bërë më i denjë. “Oganizimi i guidave turistike sjell një mentalitet ndryshe për argëtimin. Më në fund mund të largohemi nga shkuma-party dhe të shijojmë aventurat me parashutë, kanoe, ngjitje dhe ekskursione në mal, zhytje etj. Jugu ka vende të mrekullueshme dhe duhet t’i eksplorojmë”, – pohon Ajazi.
Qëllim tjetër i rëndësishëm të cilin qeveria e ka në aspiratat e saj por nuk ia ka dalë, është turizmi i gjithë vitit. Ajazi thotë se në këtë projekt synohet pikërisht zgjatja e sezonit turistik për 12 muaj të vitit “ndryshe nga çfarë jemi mësuar të kemi, sezon vetëm në 2 muaj”. ***
Lajme të mira nga turizmi shqiptar është ajo që duan të dëgjojnë jo vetëm vendasit por edhe të huajt. Ekspertët thonë se më në fund në Shqipëri po ndërtohet standard dhe shumë shqiptarë besojnë se duke nisur nga sezoni i ardhshëm veror, nuk do të kemi nevojë që çdo fundjave apo kohë pushimesh të vrapojmë drejt vendeve të tjera”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





