
Tiranë, 13 prill 2016, NOA.al – Kryetari i Grupit Parlamentari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha sot se mazhoranca ka pranuar që të zbatojë vendimet e Kushtetueses, duke i dorëzuar dy deputetët e saj, Leskaj dhe Suli. Deputeti Paloka tha se kjo është një fitore e opozitës.
“Janë tërhequr nga ky vendim nga presioni i opozitës dhe partnerët tanë ndërkombëtar. Hapi i parë është arritur. Mund të konsiderohet po ose jo një fitore jonë. Mazhoranca është e detyruar që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe është anormale që të luftosh për të tilla gjëra”, tha Paloka.
Më tej ai shtoi se, “Mazhoranca është tërhequr nga krimi Kushtetuese dhe ka marrë vendimin që deputetët e saj t’i dërgojë në Kushtetuese. I vetmi kusht që kemi është zbatimi i Kushtetutës. Po pengohet hetimi për aferën e CEZ. Kjo çështje është afera më e madhe e korrupsionit”.
Sipas Palokës, nga kjo shkelje, shumica po kalon në një tjetër shkelje duke mos lejuar komisionin hetimor për aferën e CEZ, për të cilën PD akuzon direkt kreun e qeverisë, Rama, si të përfshirë dhe përfitues të miliona eurove.
“Çështja e CEZ është afera më e madhe korruptive ku Rama është direkt përgjegjës dhe i lidhur dhe vendimin shumica e merr nesër në kuvend se nuk ka pranuar ngritjen e komisionit hetimor”- tha Paloka./noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





