Transmetuar më 22-11-2015, 14:17
Sot shënohet 107-vjetori i ditës së Alfabetit shqip për shqiptarët e Maqedonisë. Lidhur me këtë festë ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro, u ftua nga homologia maqedonase, për të nënshkruar më pas marrëveshjen ndërkulturore mes ministrive të dy shteteve.

Për këtë ditë, kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, u dërgoi një urim anëtarëve të komunitetit etnik shqiptar. Gruevski thekson në mesazhin e tij rëndësinë e respektimit të komunitetit shqiptar nga maqedonasit, për një të ardhme të përbashkët më të mirë mes dy popujve.

“Respektimi i kësaj date është edhe respekt ndaj komunitetit të tërësishëm shqiptar në Republikën e Maqedonisë, ndërsa respekti është rojtari kryesor dhe strumbullar i shoqërisë sonë dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Të jemi shembull  se si së bashku punohet për të mirën e shtetit tonë, për të mirën e qytetarëve tonë, për një jetë më të bukur, më kualitative dhe më të lumtur në çdo pjesë të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në urimin e kryeministrit maqedonas./j.ç/noa.al