
Dubai dhe Abu Dhabi kërkojnë të punësojnë të rinj nga Shqipëria, ndërkohë që tashmë aplikimi është i mundur përmes ndërmjetësimit në zyrat e punës, në çdo qytet të vendit. Janë rreth 1.732 pozicione të lira për periudhën nëntor-dhjetor, të ndara në 500 profile të ndryshme, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot disa prej vendeve më të kërkuara si dhe pagat për secilën prej tyre, që variojnë nga 500-8000 dollarë.
Ndër profilet që kërkohen janë: inxhinier, mësues kopshti, menaxher restoranti, operator në call-center, infermier, asistent-infermier, fotograf, magazinier, staf shërbimi në hotel etj. Ndërkaq, personat të cilët arrijnë të përfitojnë një kontratë të rregullt pune, do të kenë edhe benefite të tjera përveç pagës, ku më kryesoret janë akomodimi dhe ushqimi i mbuluar gjatë gjithë periudhës së punësimit.
Bëhet fjalë për kontratë 2-vjeçare, e cila mbulon dhe siguracionet shëndetësore, benefite shtesë në bazë të performancës, kostot e licencimit për pozicionet që kërkojnë licencë si dhe transport vajtje-ardhje e akomodim-punë.
Për të aplikuar, çdo kandidat duhet të plotësojë edhe një sërë kriteresh. Ai duhet të ketë kryer arsimin e lartë në degën përkatëse (për pozicionet menaxheriale), të ketë nivel shumë të mirë të gjuhës angleze, eksperiencë pune në bazë të pozicionit që aplikon si dhe të jetë i komunikueshëm e i gatshëm për të punuar në grup.
Përveç zyrave të punës, aplikimet mund të bëhen edhe përmes dërgimit të CV-së personale në adresën [email protected]. CV-ja duhet të jetë me foto dhe në gjuhën angleze, ndërsa në subjekt duhet të shënoni pozicionin për të cilin aplikoni./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





