Transmetuar më 24-10-2015, 15:16

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë në Hong Kong më datë 27 tetor, ku është parashikuar të marrë pjesë në një Forum Ekonomik mes Shqipërisë dhe Hong Kongut, i shoqëruar nga Guvernatori i BSH, Gent Sejko, biznesmeni Samir Mane dhe të ftuar të tjerë.

Lajmi konfirmohet për noa.al, nga burime zyrtare të kompanisë DMA (Developing Markets Associates). Është pikërisht kjo kompani që ka ftuar kryeministrin shqiptar të udhëtojë në Hong Kong bashkë me një delegacion të gjerë nga Shqipëria, kryesisht ministra dhe biznesmenë.

Mësohet se në Hong Kong do të shkojnë edhe ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

NOA ka zbardhur dhe axhendën e këtij forumi.

Më 27 tetor 2015 fjala hyrëse do të jetë nga Atam Sandhu, drejtor ekzekutiv i kompanisë Developing Markets Associates.

Më tej do të flasë ambasadori shqiptar në Kinë, Kujtim Xhani dhe pas tij, Edi Rama.

Në këtë takim do të flasin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, Guvernatori i BSH, Gent Sejko, drejtori ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, ministri Damian Gjiknuri.

Gjithashtu do të flasë edhe Samir Mane, President i Balfin Group kompani sponsore e këtij forumi, drejtori i një spitali privat, si dhe Genti Beqiri, drejtor i AIDA (Albania Investment Development Agency).

Në këtë axhendë të ngjeshur do të ketë fjalën e vet edhe Michael Hoffmann, zyrtar i TAP, Presidenti i rrjetit të spitaleve në Shqipëri dhe Kosovë, Spitali Amerikan", Klodian Allajbeu, si dhe drejtues të disa bizneseve të tjera private shqiptare.

Sakaq, zyra për shtyp e Kryeministrisë bën të ditur se ditën e hënë Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takim me Kreun Ekzekutiv të Hong Kong-ut, Leung Chun-ying. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit