Transmetuar më 30-12-2014, 22:58

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi bën të qartë, që nga skuadra nuk largohet asnjë futbollist. Një prononcim që largon çdo hije dyshimi për një riformatim të skuadrës, teksa shtypi sportiv në vend vlon me lajme mbi futbollistë që largohen nga Vlora për të përforcuar skuadrat e tjera të superiores.

Por një ditë pas deklaratës së fundit të administratorit Idrizi, vjen konfirmimi i parë se nga Flamurtari është larguar në drejtim të Partizanit qendërmbrojtësi Krasniqi.

Plani i kreut të klubit vlonjat duket i qartë në këtë drejtim, asnjë futbollist nuk mund të qëndrojë pa dëshirën e tij, por në të njëjtën kohë asnjë nga futbollistët nuk mund të largohet pa shlyer dëmin financiar.

Në përfundim të fazës së dytë ishin të shumtë lojtarët që dukeshin me valixhet në dorë, por kontrata i mban peng të gjithë për të qëndruar në qytetin bregdetar.

Në këto kushte është e vështirë të mendohen largime futbollistësh, pasi çdo ekip i kategorisë superiore që synon të përforcohet, përveçse duhet të bëjë llogaritë me pagat e larta të vetë lojtarëve, duhet të paguajë dhe detyrimin financiar.

Në kushtet në të cilat gjenden financiarisht klubet shqiptare, duket e pamundur që diçka e tillë të ndodhë, dhe Flamurtari është i destinuar të mbyllë kampionatin me grupin që ka në dispozicion.

Rasti Krasniqi është treguesi më i mirë, teksa ishte vetë futbollisti që shleu detyrimin financiar për të kaluar tek Partizani.

Por emrat e lakuar në merkato janë të një profili të lartë dhe me pagat më të mëdha në superiore, dhe diçka e tillë, pra shlyerja nga vetë futbollistët kundrejt klubit Flamurtari duket diçka e pamundur.

Me shumë gjasa, në Turqi Flamurtari do të udhëtojë me grupin aktual, pavarësisht zërave në merkato si në hyrje ashtu dhe në dalje, citon Supersport.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit