Transmetuar më 07-12-2014, 17:34

Vazhdon momenti magjik i Genoas në Serinë A italiane. Skuadrën e Gasperinit nuk arriti ta ndalte as Milani që në stadiumin Luigi Ferraris u mposht me rezultatin 1-0.

Fatet e takimit u vendosën nga një gol i Antonellit në pjesën e parë, me Genoan që katapultohet kështu në vendin e tretë të klasifikimit, në kuotën e  26 pikëve.

Sfida e Marasit nisi me dominimin e Milanit, por Mattia Perin i tha jo golit të Menez në minutën e 8-të me një pritje spetakolare.

Kuqezinjtë rrezikuan edhe në të 20-ën me El Sharaaëy-in, ndërsa Jeremy Menez humbi një tjetër shans 8 minuta më pas.

Minuta e 32-të bëri që stadiumi Luigi Ferraris të shpërthente në festë, pasi në rastin e saj të parë të vërtetë Genoa arriti të kalonte në avantazh.

Krosim i Diego Perrotit nga këndi dhe Antonelli arriti të godiste saktë me kokë duke e dërguar topin në fundin e rrjetës.

Milani u përpoq të reagonte, por kuqezinjtë nuk e kishin qetësinë e duhur përpara portës, ndërkohë që Bonaventura në të 89-ën humbi shansin e artë për ti çuar shifrat në 1-1.

Mes Genoas dhe Milanit gjithçka u mbyll me shifrat 1-0 në favor të vendasve me formacioni e Inzaghit që pësoi kështu humbjen e 3-të, në 14 javë kampionat.

Harron të fitojë Napoli. Skuadra e Rafa Benitez regjistroi barazimin e tretë rresht në Serinë A, pasi sfida e San Paolos mes të kaltërve dhe Empolit të Elseid Hysaj përfundoi  me rezultatin e barabartë 2-2.

Pas vetëm 19 minutave lojë skuadra toskane kaloi në avantazh. Maccarone peshkoi Verdin pas një kundërsulmi të shpejtë të Empolit, dhe ky i fundit nuk e fali duke e kaluar topin pas shpatullave të portierit Rafael Cabral.

Në minutën e 53-të formacioni i Sarrit shënoi edhe golin e dytë me Ruganin. Por pavarësisht disavantazhit të dyfishtë Napoli nuk u dorëzua, dhe në të 67-ën ngushtoi shifrat me Duvan Zapatan që goditi saktë me kokë pas një harkimi të Mertens nga këndi.

Për ti dhënë një pikë Napolit në këtë sfidë mendoi De Guzman, që i ardhur nga stoli arriti të barazonte rezultatin në të 72-ën, ky i fundit humbi edhe një shans në çastet e fundit për ti çuar shifrat në 3-2.

U rikthye te fitorja Lazio që pas tre ndalesave në kampionat arriti të mposhte Parmën në stadiumin Enio Tardini me shifrat 2-1.

Fillimisht në avantazh kaluan emilianët me golin e Palladinos në të 45-tën. Megjithatë miqtë nga kryeqyteti ja dolën të barazonin rezultatin në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë me kapitenin Stefano Mauri, ndërkohë që për ti dhënë tre pikët Lazios mendoi mesfushori brazilian Felipe Andreson, që në minutën e 59-të arriti të gjente rrugën e rrjetës për avantazhin e bardhekaltërve dhe golin e tij të parë në Serinë A.

Një fitore me vlera arriti edhe Atalanta që mposhti në sfidën e mbijetesës 3-2 Cesenën.