Transmetuar më 28-09-2014, 12:45

Itali, 28 shtator 2014, NOA.al – I ndodhur në krahinën e Venetos në Itali në një takim me sipëramrrësit e këtij rajoni, Kryeministri i vendit, Edi Rama ka prezantuar tek investitorët italianë procedurat lehtësuese dhe më konkretisht dhënien e hapësirave me qira për një euro në vit, gjë e cila, sipas Ramës, ka sjellë rritjen me 30% të eksporteve.

“Ne kemi miratuar një kuadër ligjor, i cili lejon ofrimin e hapësirave me qira për një euro në vit, pra falas, për një periudhë 20- 30-40 vjeçare. Kjo masë ka dhënë një rezultat të menjëhershëm në këtë sektor, në të cilin kemi patur një rritje të eksporteve me 30 % që në vitin tonë të parë”, ka thënë Rama duke saktësuar se paketa mbështetëse për sektorin e manifakturës është vënë në zbatim në fillim të këtij viti.

“Në më pak se 7 muaj verifikuam një rritje prej 30 %. Gjithashtu e vendosëm të gjithë sektorin e manifakturës në kategorinë e eksportuesve pa risk, gjë që e bën kalimin burokratik në dogana shumë më të shpejtë”, ka thënë Kryeministri.

Në lodhje me rimbursimin automatik të TVSH-së, Rama ka thënë se do të bëhet në një mënyrë shumë transparente, duke mos pasur asnjë lloj problemi, krahasuar me problemet e mëparshme.

Sipas Kryeministrit, kur dikush nis një biznes në sektorin e manifakturës në Shqipëri kontributet nuk i kërkohen për vitin e parë.

“Për çdo vend të ri pune kompania nuk duhet të paguajë kontributet shoqërore. Kjo për faktin sepse ne e konsiderojmë këtë vit të parë edhe si një vit të rëndësishëm. Kështu që paguan shteti kontributet shoqërore. Kemi miratuar një ligj në të cilin kemi vendosur që të gjitha të ardhurat që shtetit i merr nga tatimi mbi fitimin i kompanive të manifakturës, i kthehen mbrapsht këtij sektori për të gjitha ato sipërmarrje që paraqesin projekte inovacioni dhe për projekte investimesh që sjellin vende të reja pune”, ka sqaruar Kryeministri.

Për të, një sipërmarrje e fortë, një sipërmarrje e shëndetshme nuk paguan asgjë, sepse atë që paguan si tatim mbi fitimin e rimerr si formë mbështetje për inovacion, për investime dhe vende të reja pune dhe praktikisht operon pa taksa. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit