Transmetuar më 27-07-2014, 18:57

Pas deputetëve gjermanë, dhe Zv.kryeministri britanik Nick Clegg është kundër organizimit të Botërorit 2018 nga ana e Rusisë.

Politikani anglez i ka kërkuar zyrtarisht FIFA-s që t’i heqë të drejtën vendit lindor për organizimin e turneut të ardhshëm botëror për shkak të konfliktit të përshkallëzuar në Ukrainë.

Sipas Clegg, fakti që Bashkimi Europian i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të ngjarjeve me vendin fqinj dhe rrëzimit të avionit të Maylasian Airlines MH17 më datë 17 korrik, duhet ta bëjë qeverinë e futbollit të reflektojë lidhur me vendimin e saj dhe të mos i lejojë Rusisë organizimin e eventeve të tilla sportive.

Sipas politikanit britanik, ndaj Rusisë duhet të ushtrohet trysni, që ajo t’i japë fund konfliktit në Ukrainë.

Pavarësisht kërkesave gjithmonë e më shumë në rritje nga ana e politikanëve të ndryshëm europianë për të mos lejuar zhvillimin e Botëror 2018 në vendin lindor, FIFA nëpërmjet një komunikate ka reaguar duke shprehur bindjen se organizimi i turneut në këtë vend do të jetë një ndihmesë për të sjellë ndryshime të mëdha në botë.

Pra me pak fjalë, FIFA nuk tërhiqet nga vendimi i saj, madje thekson se ky turne do të shërbejë për të përkrahur dialogun, mirëkuptimin dhe paqen mes vendeve.