Transmetuar më 07-06-2014, 23:42
Sulmuesi i Napolit, Gonzalo Higuain e ndjen veten të përmirësuar pas sezonit debutues në Serinë A, citon Supersport.

Që prej largimit nga Reali i Madridit në korrik të vitit të shkuar, argjentinasi ka realizuar gjithsej 24 gola në të gjitha kompeticionet me fanellën e napoletanëve, duke dhënë kontributin e tij të çmuar për vendin e tretë në Serinë A, si dhe në trofeun e Kupës së Italisë.

“Kur shkova në Spanjë, rrezikoja për shkak të moshës, por mësova shpejt dhe si rezultat u rrita. E njëjta gjë më ka ndodhur në kampionatin italian, me përjashtim të faktit që është më kompetitiv.

Ndoshta kualiteti i ndeshjeve nuk është si në Spanjë, por nga ana taktike është një hap i madh përpara për mua.

Mbrojtësit në Itali janë më të fortë dhe kjo të përmirëson. Në karrierën time isha mësuar të luaja kundër 4 mbrojtësave, ndërsa në Serinë A më ka qëlluar të luaj me 5 mbrojtësa përballë”.

Pas 4 golash në po kaq ndeshje në Botërorin e Afrikës së Jugut, Higuain shpreson dhe po përgatitet të lërë më shumë gjurmë në Brazil.