Transmetuar më 02-12-2013, 18:02

Shkup, 2 dhjetor 2013, NOA.al – Këshilli i Evropës po monitoron situatën e përgjithshme politike dhe demokratike në Maqedoni. Në këtë mision në Shkup prej sot po qëndron raportuesi i Këshillit të Evropës për Maqedoninë Robert Vallter, i cili në ditën e parë të vizitës së tij takoi kryeparlamentarin Trajko Veljanovski dhe koordinatorët e grupeve parlamentare.

Në këto takime mësohet se Vallter ka njoftuar vendimin e hapjes së zyrës së Këshillit të Evropës në Shkup, si pasojë e ngecjes së dialogut politik, ankesave rreth zgjedhjeve si dhe krizës që u shkaktua në vend pas ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar në parlament. Për koordinatorin e grupit parlamentar të PDSH-së Imer Aliu, vendim i Këshillit për t’u kthyer në Shkup është dëshmi se vendi shkon prapa në procesin e demokratizimit të vendit si pasojë e Qeverisë e cila sipas tij, për çdo ditë i dëmton shqiptarët.

“Diskutuam hapur për çështjet që preokupojnë shqiptarët dhe që PDSH-ja vazhdimisht i ngre si tema me rëndësi për shqiptarët. Diskriminimi që u bëhet në ndarjen e buxhetit, mos pasjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare…Nga ana jonë u përshëndet vendimi i Këshillit të Evropës për hapjen e zyrës në Maqedoni që paraqet një ngjarje me rëndësi në veçanti për opozitën shqiptare pasi do të jetë një mundësi që ne të kemi një adresë ku do t’i adresojmë problemet e shqiptarëve që në vazhdimësi po ndodhin në Maqedoni”, tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

Nga ana tjetër theks të veçantë në takimet e sotme i janë kushtuar edhe angazhimit të grupit punues për zbatimin e rekomandimeve që dolën nga Komisioni hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit, zgjedhjet presidenciale, rastin Shipoviq, si dhe zhvillimet për sa u përket zgjidhjes së çështjes së emrit dhe integrimeve euro-atlantike. Vallter edhe nesër do të zhvillojë agjendë të ngjeshur takimesh. Planifikohet të zhvillojë takime me një numër të madh ministrash, avokatin e popullit si dhe nga përfaqësuesit e mediave të dëgjojë problemet lidhur me lirinë e mediave. Raportuesi i Këshillit të Evropës Robert Vallter më 13 dhjetor në Strasburg do t’i zbardh rezultatet nga monitorimi i situatës politike në vend./n.p/a.y/noa.al/