Transmetuar më 30-11-2013, 21:40
Intervistë me aktorin dhe producentin Osman Ahmeti. Aktori dhe producenti Osman Ahmeti nga Shkupi, njëherësh edhe bashkëthemelues i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Shkupi festival” (Scopje Festival, shënim i redaktorit) flet për artin dhe kulturën në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, diversitetin kulturor dhe ndëretnik dhe ndarjet e vazhdueshme në fushën e artit dhe kulturës mes dy etniteteve më të mëdha shqiptare dhe maqedonase

Intervistoi: Naser Pajaziti 

Si e vlerësoni ambientit e artit në vendin tonë. Përveç diversitetit kulturor a mendoni se akoma ka një ndarje apo kultivimi i artit paralele midis dy komuniteteve me te mëdha?

Ndarja është më institucionale ka institucione që prodhojnë kultivojnë njërën apo tjetrën kulturë veçmas, kjo edhe për shkak të specifikës që ka në vete kultura në përgjithësi. Por tendenca është edhe më tej të shkohet në  ndarje edhe më të prera edhe institucionale por edhe buxhetore. Pra ka kohë që ekzistojnë nisma për buxhete të ndara sa duhet të shkojnë për atë dhe sa për këtë kulturë, kjo në radhë të pare është  për shkak mosbesimit që kanë palët mes veti. Sa i takon ambientit kulturorë mund të them se është në një amulli të plotë,  por pak ka disa gjëra që shkojnë nga e mira, që janë shumë të paqarta, pa ndonjë ide, të paktën kështu më duket mua.

Nga ana tjetër, a ka pika të përbashkëta që gjejnë artistët e dyja komuniteteve dhe në këtë drejtim a ka bashkëpunim dhe suksese?

Arti dhe kultura çdoherë ofrojnë pika bashkëpunimi në çfarëdolloj kombinimi, s’do mend se edhe mes artistëve të të dyja komuniteteve. Por përveç rasteve rralla dhe ndoshta aksidentale nuk ka një vizion ose një tendencë ose qoftë edhe një bashkëpunim ndërinstitucional, mes institucioneve që kushtimisht prodhojnë kulturë të të dyja komuniteteve. Pra edhe nëse ka bashkëpunime këto janë nisma nga individë ose organizata joqeveritare ose janë projekte kulturore me afat të caktuar.

A mendoni se përmes artit mund të ndikohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike?

Arti sigurisht që ndikon. Ai e ka në vetvete edhe këtë mision. Por kjo është vetëm një hallkë e zinxhirit, nga ajo që shoh dhe që po ndodh, hallkat e tjera janë të drejtuara në drejtim tjetër.

Ju jeni edhe organizator i festivalit ndërkombëtar Teatror Skupi festival. Cilat janë arritjet e këtij festivali?

Ky ishte viti i shtatë me radhë që organizohet FNT (Festivali Ndërkombëtar Teatror). Skupi festival, tashmë ka filluar të krijojë identitetin e vet. Mendoj se ka pasur arritje dhe sukses, në shkëmbimin kulturor, njohjet e ndërsjellta, përvojat teatrore dhe daljen në pah të tendencave teatrore, komunikimet e ndryshme mes teatërbërësve dhe të tjera. Ka një ekip që është themelues i tij nga të dyja komunitetet, shqiptar dhe maqedonas dhe ky ekip vazhdon të punojë së bashku. Një e veçantë e FNT Skupi Festival,, që dua ta theksoj, është së në këto shtatë edicione ka shëtitur të gjitha skenat e teatrove në Shkup, nga skena e Teatrit Shqiptar, tek ai i Teatrit të Dramës pastaj në Teatrin Popullor maqedonas e kështu me radhë. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të një situate absurde, por tani kur e shoh nga një këndvështrim tjetër mendoj se është një rrugëtim dhe përvojë interesante.

Ndalemi tek arti teatror shqiptar. Sa po zhvillohet dhe a ka rezultate dhe perspektiva optimiste? 

Nëse flasim për teatrin shqiptar në përgjithësi është një temë shumë e gjerë. Zhvillimi dhe rezultati i teatrit shqiptar edhe në të kaluarën edhe tani është varur shumë nga ideologjia e sistemit dhe si duket ende i ka në vete ato probleme, ndërsa teatri shqiptar në Maqedoni është zhvilluar dhe kultivuar mes ndikimit të teatrit shqiptar në përgjithësi dhe atij jugosllav, apo në këtë rast maqedonas. S’do mend që teatri shqiptar është në kërkim të identitetit të tij mbarëkombëtar (kjo edhe për shkak specifikave që kemi si komb), por ka një neglizhencë të madhe nga  institucionet që merren me politikëbërjen e artit dhe kulturës.