Transmetuar më 31-10-2013, 16:30
Dibër, 31 tetor 2013, NOA.al – Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha do të shpallet qytetar nderi i komunës së Dibrës në Maqedoni.

Lajmi i bë i ditur sot për Noa.al nga kryetari i kësaj komune Ruzhdi Lata, sipas të cilit janë tre arsye që e kanë shtyrë komunën të ndërmarrë një nismë dhe propozim të tillë.

“Berisha është një ndër iniciatorët e sjelljes së demokracisë në Ballkan dhe në të gjitha trojet shqiptare. Vitet 1991-1992 ishin vite që ne nuk i harrojmë por duhet që të mos i harron edhe historia, arsyeja e dytë janë raportet ndërshtetërore sepse Berisha njohu shtetin e Maqedonisë, kombin, gjakun dhe përherë Republika e Shqipërisë ka pasur marrëdhënie të mira me Maqedoninë Arsyeja e tretë është se ne kemi farefis në Shqipëri të cilët nuk i njihnim dhe nuk na njihnin. Berisha mundësoi që gjaku të njeh gjakun, farefisi të njeh farefisin. Me Berishën u realizua çdo gjë edhe pse ai nuk gëzon asnjë post, ne jemi ata që duhet ti japim vlerat e atdhedashurisë”, deklaroi kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.

Sipas burimeve të korrespodentit të Noa.al në Maqedoni, Naser Pajaziti, shpallja e Berishës për qytetar nderi është përkrahur nga të gjithë këshilltarët e qeverisjes lokale në këtë komunë. Disa vite më parë ish-presidenti shqiptar Bamir Topi është shpallur për qytetar nderi i kësaj komune. /n.p/a.s/noa.al/