

Evgenija Çirikova, është një ruse tipike, 35-vjeçare, bionde me sy bojëqielli dhe dy diploma, në inxhinieri motorësh të avionëve dhe ekonomi. Në fakultet njohu burrin e ardhshëm dhe bashkë nisën karrierën pranë byrosë së kërkimeve të industrive “AZLK”, e njohur për prodhimin e veturave.
Nga Rudina Xhunga
Më vonë u shkëputën për të themeluar së bashku firmën “Ezop”, e profilizuar për teknologjitë e sigurimit të centraleve bërthamorë. Prindërit e saj, babai docent në kërkimet bërthamore dhe nëna nëpunëse shtetërore, nuk kishin çfarë të kërkonin më mirë për vajzën e tyre.
Me lindjen e dy fëmijëve, çifti i ri vendos të banojë në një lokalitet të quajtur Çiminski, në periferi të Moskës, për hir të pyllit, borës dhe ajrit të pastër. Por një ditë, në një nga shëtitjet e saj në pyll, Evgenija vëren se në trungjet e pemëve ishin bërë shenja. Kërkon dhe zbulon se guvernatori i rajonit të Moskës, Boris Gromov, kishte dhënë leje që nëpër pyll të kalonte autostrada e re Moskë – Shën Petërburg.
Atë ditë të vitit 2006, nis edhe beteja e saj. Fillon dhe shtyp në kompjuter fletushka që kundërshtojnë kalimin e autostradës dhe prerjen e pyllit. Informon banorët e zonës dhe bashkë formojnë një komitet.
Por, as sipërmarrësit që kishin përfituar të drejtat për ndërtimin e autostradës, nuk ndenjën duarkryq. Bëhej fjalë për miliona, të cilat mund t’i humbisnin nëse do të devijohej gjurma e rrugës. Jeta e Evgenisë shndërrohet në një buletin lufte.
Dhjetë aktivistë që mbështesin kauzën e saj, vriten nga njerëz të panjohur. Sulme fizike ndaj dy redaktorëve të gazetës “Forumi Civil”, sulm me thikë ndaj drejtorit të gazetës “Marrëveshja Civile”, dhe një këmbë e prerë e redaktorit të gazetës “E drejta e Çiminskit”, të gjitha gazeta që kanë informuar dhe ndihmuar betejën e Evgenisë kundër masakrës ambientale, masakër që ka bekimin e bashkatdhetarëve të saj rusë dhe bashkautorësinë e shoqërisë franceze të ndërtimit “Vinci”.
Ndërkohë, burri i saj, Michael, sulmohet fizikisht dhe i thyejnë katër brinjë. Bankat dhe klientët, largohen dhe nuk i çojnë më porosi sipërmarrjes që drejtonte me bashkëshortin. Autoritetet shtetërore inskenuan një çështje, sikur çifti keqtrajtonte fëmijët.
Të gjitha këto, ndërsa financuesit dhe ndërtuesit e autostradës, prisnin që lëvizja e kryesuar nga Evgenija të shuhej apo lodhej. Për fat, kërcënimet ndaj saj morën pak pushim në momentin kur zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, në një vizitë që bëri në Moskë, i dorëzoi “Çmimin Ndërkombëtar të Grave Kurajoze”.
Dhe vetëm pas pesë viteve të gjata betejash, manifestimesh në sheshe, ndalimesh nga policia, në vitin 2011, sakrifica e saj dhe e njerëzve që e mbështetën, u kurorëzua me disa akte administrative që e zvogëlonin gjerësinë e brezit që do të shpyllëzonte autostrada nga 600 në 100 metra, dhe me pezullimin e lejeve të ndërtimit për komplekset tregtare, parashikuar të ngriheshin buzë rruge.
“Në gjithë këtë betejë – është shprehur në një intervistë Evgenija Çirikova – nuk kisha frikë nga kërcënimet ose dhuna. Frika ime e madhe ishte se mos nuk më merrnin seriozisht”.
Kjo është në fakt, një nga të vërtetat e mëdha; dënimi më i madh për një kauzë, është shpërfillja e saj. Në Shqipëri është kthyer në mënyrë sjelljeje për minimizimin, përçmimin dhe harresën ndaj cilësdo kauzë.
Shembull është media. Janë me dhjetëra problemet që ajo ngre përditë. Shumë pak prej tyre fitojnë vëmendjen qeveritare ose shoqërore, për te mos thënë aspak. Nuk bëhet fjalë vetëm për çështje politike, por edhe për të tjera që ngacmojnë dhe trazojnë jetën tonë të përditshme.
Sa herë dua të shkruaj për tufa qensh që janë kthyer në faunë komplementare të çdo blloku pallatesh, duke arritur të sulmojnë e ndalojnë njerëzit, kam drojën se do tallen me këtë hallin tim banal. Por për shkak të hallit tim banal, Tirana po bëhet e pajetueshme. Ajo përditë e çdo ditë të ngjan me një qytet qensh. Nuk mund të vraposh nga liqeni se ata të ndjekin dhe të sulmojnë. Nuk mund të shkosh në kopshtin botanik se ai tanimë është kopshti i qenve. Nuk mund të shkosh në kopshtin zoologjik, se aty vetëm qen kanë mbetur. Nuk mund të shkosh vonë në shtëpi se në shkallët e pallatit të presin qen rruge, që tani quhen qen pallati. Nuk mund…
Kur navigon në “Google Earth”, konstaton me zili se kryeqytetet dhe qytetet e Europës, janë të mbytur në gjelbërim dhe parqe. Ndërsa qytetet tona, janë të betonizuara.
Ç’ndryshim ka “Komuna e Parisit” nga Bathorja? Është një bathore betoni, një geto në mes të qytetit, që ndryshe nga Bathorja në periferi, banohet nga të ardhur nga jugu. Dhe kaq. Banorët e kësaj getoje nuk hapin gojë edhe pse fëmijët e tyre nuk kanë ku të luajnë me shokët, nuk kanë një park ku të rrokullisen në bar, apo një fushë ku të mësojnë të luajnë lojëra me top. Fëmijët e kësaj getoje i gjen të luajnë në shkallë pallati me njëri-tjetrin. Nuk kanë mundësinë të gëzojnë ato mundësi që janë pa para dhe e drejta e parë njerëzore, që para se të jetë qenie sociale, është pjesë e natyrës.
Nuk është se nuk ka njerëz që flasin për këto probleme, që në fakt nuk janë probleme, janë krime kundër njeriut. Por kur dikush kujtohet t’i numërojë, ose shpërfillet ose lihet në harresë. Ose etiketohet, ose i bëhet biografia politike. Ose është i Ramës, ose i Bashës.
Duke harruar se ai që ngre zërin në fakt është qytetari. Qytetari ka përgjegjësi për shtëpinë dhe pallatin, për rrugën dhe rrugicën ku kalon, për qytetin ku ka vendosur të jetojë. Përndryshe pse quhet qytetar, nëse nuk ngre zërin?
Para dy muajsh, “Prishtina insight” publikonte një shkrim investigativ të disa gazetarëve perëndimorë, që kishin hetuar si mbeturinat toksike, në bashkëpunim me mafien italiane, zhdukeshin në Shqipëri. Ndërkohë është miratuar një ligj për importin e plehrave. Shoqëria civile ka kërkuar një referendum për këtë problem, i cili është harruar. Pikërisht harresa që kishte frikë Evgenija, mungesa e marrjes seriozisht, është vrasësi më i madh, është kërcënimi ynë për t’u shuar dhe zhdukur.
Ne shqiptarëve, po na vret apatia jonë, shumë më shumë se qeveria që duam të ndërrojmë.
“Problemi ynë nuk është Putin, por ne vetë. Duhet të jemi më kërkues për jetët tona, për çfarë shohim nga dritaret tona dhe të mësohemi të rezistojmë. Nuk ka ndryshim regjimesh pa ndryshuar mentalitetin tonë. Përndryshe është krejt e kotë që ta ndërrojmë Putinin me dikë tjetër”, – shkruan Evgenija Çirikova, qytetarja ruse 35-vjeçare.
"Mapo"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





