Transmetuar më 01-05-2012, 08:41
Shkup, 1 maj 2012, NOA - Në Qytetin e Shkupit pritet të fillojë riemërtimi i rrugëve, shesheve dhe bulevardeve, pasi që është marrë drita jeshile edhe nga ana e Qeverisë.

Mbi 290 rrugë pritet të pagëzohen me emra të rinj, kryesisht emra të historisë maqedonase, por edhe emra të historisë shqiptare. Në mesin e emërtimeve të reja mbi 40 rrugë do të mbajnë emra të personaliteteve dhe ngjarjeve historike shqiptare.

Ndërkohë, qyteti i Shkupit pritet të diskutojë pranë këshillit fazën e dytë të emrave të tjerë që gjithashtu do të mbajnë rrugët e kryeqendrës. Partitë opozitare maqedonase kanë kërkuar ndërprerjen e emërtimeve, duke kërkuar organizimin e një referendumi mbi këtë çështje.  Lidhja e Luftëtarëve të LDB-së ka kërkuar që të mos hiqen emrat e partizanëve dhe liderëve komunist që kanë dhënë kontributin e tyre për vendin.

Mbi 1000 propozime tashmë janë në shqyrtim e sipër, ndërsa mbi 200 prej tyre kanë të bëjnë me personalitete dhe historinë shqiptare.

“Hasan Prishtina”, “Bajram Curri”, “Isa Boletini”, “Dervish Cara”, “Ismail Qemajli”, “Jusuf Gërvalla”, “Dardania”, “Iliria”, “Arbëria”, “Tirana”, “Prishtina”, etj., janë disa nga emrat që janë propozuar në listën e përpiluar nga shoqatat shqiptare në bashkërendim me këshilltarët komunal të Qytetit të Shkupit.

noa.al/INA