Transmetuar më 20-04-2012, 11:12

Kryeministri Nikolla Gruevski ka apeluar që të mos drejtohen akuza në drejtim të një populli apo etniteti të tërë lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Shkup.

“Në rast se vrasësit janë maqedonas nuk mund të jenë fajtorë të gjithë maqedonasit, në rast se janë shqiptarë nuk do të thotë se janë fajtorë të gjithë shqiptarët. Këtë e dëshirojnë ata që nuk ia duan të mirën Maqedonisë. Duhet të përgjigjet ai që ka kryer krimin, për shkak se akte të tilla monstruoze ndodhin në shumë shtete”, deklaroi Gruevski mbrëmë në një tribunë të partisë së tij VMRO-DPMNE me qytetarët e komunës Aerodrom në Shkup.

Sipas tij, shumë individë dhe politikanë po tentojnë që nga kjo tragjedi të bëjnë spekulime dhe trazira të mëdha midis qytetarëve si dhe tensione dhe përleshje ndëretnike. “Do të vijë koha dhe fuqimisht besoj se do të kapen autorët dhe pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, ata do të përgjigjen para ligjit”, theksoi Gruevski.

***

Motivimi i organeve për punë të brendshme për zbulimin e vrasësve të pesë njerëzve të rinj është i madh. Dëshiroj t’ju bind se po bëjnë përpjekje maksimale për zbulimin e vrasësve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Këtë e theksoi kryeministri Nikolla Gruevskiu dhe lider i VMRO-DPMNE-së para banorëve të Komunës së Aerodromit në tribunën e partisë, që u mbajt mbrëmë në sallën "Jane Sandanski".

Duke theksuar se deri më tani nuk ka parë motivim aq të madh te pjesëtarët e MPB-së për gjetjen e autorëve tha se beson se do të kenë sukses në këto përpjekje, por se duhet t’u jepet kohë.

"Kam vërejtur se shumë individë dhe politikanë tentojnë nga kjo të bëjnë spekulime dhe trazira të mëdha midis qytetarëve dhe tensione dhe përplasje ndëretnike. Do të vijë koha, besoj fuqishëm në këtë, kur do të gjenden vrasësit dhe pavarësisht kush janë dhe cilit etnitet i përkasin do të përgjigjen para ligjit dhe do t’u vijë keq për atë që e kanë bërë", theksoi Gruevski.

Ai porositi që të mos bihet pre në një klimë të cilën dikush tjetër dëshiron ta krijojë dhe kërkoi të mos shpallen për fajtorë etnitete të tëra. "Nëse vrasësit janë maqedonas nuk mund të jenë fajtorë të gjithë maqedonasit, nëse janë shqiptarë nuk janë fajtorë të gjithë shqiptarët… Atë e dëshirojnë ata që nuk ia duan të mirën Maqedonisë. Duhet të përgjigjet ai që e ka kryer këtë vepër, pasi monstrumë të tillë paraqiten edhe në shtete të tjera", tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Ai në tribunë u përqëndrua edhe në çështjen për emrin dhe bllokadën nga Greqia për integrimet euroatlantike të Maqedonisë.

"Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë. Jo vetëm që t’i vazhdojmë reformat sepse ato nuk guxojnë të ndalen, por duhet të vazhdojmë gjithashtu të kërkojmë zgjidhje për këtë bllokadë, ndërsa kërkojmë edhe aleatë", theksoi Gruevski duke vlerësuar se edhe drejtësia ka mbetur në anën e Maqedonisë me vendimin e Gjykatës në Hagë.