Transmetuar më 15-01-2012, 14:04

Tiranë, 15 janar 2012, NOA – Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj një shkrimi që Sekretari i Partisë Socialiste për Emigracionin dhe Rinin ka postuar dje në adresën e tij në Facebook për rrugën Durrës-Kukës.

Në deklaratën e PD-së theksohet se ky shkrim dëshmon qëndrimin e kreut të PS-së kundër Rrugës së Kombit.

“Edi Rama nëpërmjet lejtnantit të tij, shpërndau në e-maile, facebook e media një shkrim të lobeve antishqiptare mbi Rrugën e Kombit. Në këtë shkrim sërish risillet deklarimi i kreut socialist se kjo është rruga e asgjësë, dhe rruga e panevojshme, apo edhe rrënimi i shqiptarëve”, thuhet në reagimin e selisë blu.

Në deklaratë theksohet se; “me këtë veprim z. Rama tregoi edhe një herë, urrejtjen e tij për rrugën e kombit, rrugën e të gjithë shqiptarëve. Tregoi mashtrimin që bëri vetëm 2 muaj më parë kur u betua se Partia Socialiste nuk ka qënë asnjëherë kundër kësaj rruge”.

Sipas selisë blu, qëndrimet e PS-së synojnë njollosjen e një prej veprave më të rëndësihme në vend. “Vetëm dy muaj më pas shpërndau në të gjitha mediat shkrimin e pavlerë për të njollosur kështu veprën më të vyer e më të bukur të shqiptarëve, rrugën e kombit”, thuhet në deklaratën e PD.

Një ditë më parë, Veliaj shpërndau në adresën e tij të internetit, një shkrim që fliste me nota negative për Rrugën e Kombit, i cili kishte për autor gazetarin, Andrea Lorenzo Capussela.

a.k/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit