"Kam mendimin, i bazuar në bindjet e mia patriotike se historia duhet të ndryshojë, duke edukuar në ndërgjegjen tonë, dhe duke skalitur në mënyrë objektive rendin e ri “Demokracinë”, me vlerat jetike perëndimore, ku vlerësohet personaliteti i njeriut"…
Nga Neki Babamusta
Kurani: Kërkoje dijen që nga lindja e gjer në vdekje!
Albert Einstein: Jam i mençur sepse nuk di asgjë.
Historia ndryshon me doktrina të reja, me platformën: “kështu ka ndodhur”! A duhet ndryshuar historia e Kombit tonë?Po, sipas mendimit tim. Në disa ngjarje kulmore, nuk duhet të kalojmë në ekstreme, sepse kështu prekim bazën arkitekturore të kështjellave tona mijëra vjeçare. Me veprime të tilla, do të mohonim vetveten, duke mbetur Komb pa histori, gjë që bie në kundërshtim me argumenta, që e rradhit popullin tonë, ndër më të vjetërit dhe më të qytetëruarit në botën e lashtë.
Diktatorët e periudhave historike, i kanë atribuar vetvetes “mençuri shekullore”, “të shenjtëruar”, etj. Bëmat e tyre gjakatare, kanë rënë ndesh me dëshirat dhe interesat e popujve. Prandaj, në historinë e shoqërisë njerëzore kanë mbetur demonë vrasës, duke lënë pas shijen e tyre të hidhur.
Hitleri, në librin e tij “Mein kampf” shpalosi idetë e Nazizmit për vendosjen e rendit të ri në botë. Ndër të tjera, ai theksonte: “pas fitores së luftës ndaj Aleatëve, unë do të ndryshoj historinë, duke e bërë Gjermaninë sundimtare të popujve.” (Mein Kampf, 1926)
Kështu proklamonin edhe klasikët e Marksizëm-Leninizmit, se me triumfin e diktaturës së proletariatit mbi gërmadhat e kapitalizmit, do të vendoset rendi i ri “Socializmi”.
Kam mendimin, i bazuar në bindjet e mia patriotike se historia duhet të ndryshojë, duke edukuar në ndërgjegjen tonë, dhe duke skalitur në mënyrë objektive rendin e ri “Demokracinë”, me vlerat jetike perëndimore, ku vlerësohet personaliteti i njeriut.
Natyrisht, këto ndryshime, nuk bëhen me një të rënë të shkopit magjik, me ndërrim kostumesh popullore, nga oratorë me doktoraturë, por me zbatim reformash duke transformuar bazën dhe superstrukturën ekonomike dhe politike të vendit.
Ku bazohet historia në ndriçimin e saj?
Historia, si Poetesha e kohërave, e mbështet vërtetësinë e saj në zbulimet arkeologjike, në arshiva, me dokumentet e kohës, në libra historikë, në muzeume historike, në marrëdhëniet diplomatike, me foto historike, me këngë e vargje, shkruar dhe kënduar nga populli, në dëshmi e deklarata si autorë ngjarjesh, në vendngjarje historike, kështjella, trofe luftarake, shtypi i kohës, etj.
Në vendin tonë kemi vendburime historike dhe kulturore, që e ndriçojnë historinë e popullit shqiptar. Ato ruhen ndër muzeume, siç ruhen në Muzeumin e Londrës, sopatatat që u pritej koka e kundërshtarëve të mbretit, që në shekullin IX. Ndërsa në Muzeun e Parisit ekziston Gijotina, që preu edhe kokën e Robes Pierit, drejtuesit të Revolucionit BorgjezFrances, v. 1789.
Çfarë sygjeroi Ömer Dinçer, Ministri i Arsimit Turk në Kosovë?
Ministri i Arsimit të Turqisë, z. Ömer Dinçer, gjatë vizitës me zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës, me 19 gusht 2011, shfaqi dëshirën dhe rekomandoi që raportet e historisë së kombit shqiptar me Turqinë duhen ndryshuar. Kur nuk gjeti miratimin e kësaj kërkese absurde, bëri këtë deklarim diplomatik: “Turqisë i vjen keq që Shqipëria ka vuajtuar nga diktatura komuniste dhe Kosova nga sundimi gjakatar serb!” (Alsat TV, 20 gusht 2011).
Siç duket, z. ministër, duke na kthyer një shekull pas, do të ndjehej i nderuar, që Skënderbeut t’i vihej shallma turke, me flamurin gjysëm hënëz, që Arbërit, me Kryetrimin e tyre, nuk ia lejuan që t’i vihej edhe Papës së Romës.
Turqia, për kombin shqiptar, ka mbetur pushtuese, me sundim gjakatar. Bukur e thotë kënga popullore: “Nizamë e xhelep s’ka, jemi popull fukara!… O halldup shallvarëgjerë në të zënça dot gubërë, do ta bëj si t’jatër herë” Konica thotë: “Shqipëria mbeti kopësht shkëmbor, edhe më vonë,” si pasojë e sundimit të egër turk. (Faik Konica, Vepra I, 2001).
Me Turqinë jemi dy popuj miq. Sot, në Turqi jetojnë 2-3 milion shqiptarë, dhe akoma nuk i lejohet shkollimi në gjuhën amëtare. Ishte elita inteligjente e popullit shqiptar, e cila ka drejtuar Turqinë për disa shekuj. Do të jetë lajthitje mendore, t’i quash turqit “administratorë” gjatë sundit shekullor.
Veç grabitjes dhe prapambetjes që na la Turqia është vajtuese të kujtojmë se pashallarët dhe sulltanët turk, skllavëruan mijëra vajza shqiptare, për orgjitë e tyre ndër hareme, duke i vrarë dhe mbytur në detin Bosfor, siç vepronte edhe Sulltan Hamiti. Dihet qëndrimi i lartë moral i vajzave shqiptare. Nora e Kelmendit vrau pashanë turk, për të mos u bërë skllave e tij.
Në Kavajë, kur unë isha mësues në fshatin Zhabiak, në vitin 1954, të moçmit më tregonin: “I sheh këto toka? E kanë emrin “Tokat e Sulltaneshës Nënë”! Sulltani dhe pashallarët turq rrëmbenin me forcë vajzat tona. Për të ulur zemërimin e familjeve që iu grabiteshin vajzat, pashallarët u jepnin atyre peshqesh një copë tokë.”
Vlerësimi i Rilindasve
Rilindasit janë të shkëlqyerit e kombit tonë, që punuan dhe u sakrifikuan për të ruajtur bazat e identitetit shqiptar për liri, me pendë dhe pushkë. Vepra e tyre është e paçmuar. Figurat madhore të kombit tonë, si Ismail Qemali, baca Isa Boletini, duhen të shpallen pasardhës të denjë të Skënderbeut, se e tillë ishte jeta dhe veprat e tyre. Duhet vlerësuar kontributi i familjeve të dëgjuara patriotike, në fshatra e qytete, që punuan në të mirë të kombit tonë.
Sipas njoftimit që dha televizori shtetëror, TVSH, më 3 janar 2012, tek rubrika njerëz të humbur, në Pejë të Kosovës gjendet familja Viktor Gashi, familje që prej shtatë brezash prodhonte armë stolisur me argjend që nga shekulli XVI. Edhe në Prizren dhe Gjakovë janë zbuluar armë të hershme, me zbukurime argjendi. Këto fakte hedhin poshtë, kërkesat absurde të serbëve se serbët janë banorë të hershëm në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Tadic, në vizitën që bëri më 8 janar 2012 në kishën serbe në Fushë-Kosovë, me rastin e Pashkëve, deklaroi se serbët kurrë nuk do të heqin dorë nga pushteti paralel. Kjo nënkupton seSerbiaakoma pretendon se Kosova është e Serbisë.
Kombi shqiptar, një popull flori, ka me dhjetëra e qindra familje, të dëgjuara, që janë simbole patriotizmi. Fiset “Toptani” dhe “Vrijoni” kanë vlera të larta historike në të mirë të kombit duke i shërbyer ndër brezni atdheut.
Duhet vënë në vend kontributi historik i Shqipërisë se Mesme në historinë tonë kombëtare për lirinë dhe arsimin kombëtar.
Cili ishte Haxhi Qamili?
Haxhi Qamili ishte një fshatar i paditur nga krahina e Tiranës. Pse histeriografia, diktuar nga regjimi komunist, e quajti Haxhiun “Pukaçovi Shqiptar”? Ky i paditur, me ca pasues si vetja e tij, në shërbim të xhonturqëve, për t’u bërë i besuar tek fshatarësia e varfër shqiptare dhe me ëndrrën për t’u bërë si kryetar i tyre, dogji kulla të pasurish, përfshi edhe atë të Toptanëve në Tiranë gjatë viteve 1914-15. Por, është qesharake të mendosh e të pranosh, se një fshatar anadollak, si Haxhiu, do të përfaqësonte interesat e fshatarësisë. Një inskinim i tillë nga regjimi komunist, ishte sfidë dhe përbuzje ndaj figurave patriotike, që drejtonin lëvizjet fshatare anekënd Shqipërisë, duke kundërshtuar me armë edhe çmenduritë e Haxhi Qamilit.
Haxhi Qamili, propagandonte në popull me parrullën: “Duam – duam Babën, Turqinë!” Ai kërkonte që shkronjat e alfabetit tonë latin të zëvëndësoheshin me hiroglife turke-arabe. Haxhi Qamili filloi të persekutojë dhe vrasë mësues patriotë. Sipas dëshmisë të patriotit Thimi Mitko, pas shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1887, shkolla të tjera shqipe, menjëherë pas Korçës, u hapën në Berat, Pogradec dhe Kavajë. (Arshiva e Shtetit). Për këtë qëllim, Haxhi Qamili, me pasuesit e tij, të shtunave, ditë pazari, vinte në Kavajë. Arrestonte mësuesit e gjuhës shqipe, i lidhte dhe i torturonte. Pas torturave, i hipte mbi gomar, me fytyrë kthyer mbrapsht. Vetë bërtiste para turmës qytetare: “Shikojini kaurrët, duan të na ndajnë nga Turqia!?”
Haxhi Qamili mbante një pistoletë, me mulli shtatëplumbëshe. Në folenë e armës fuste 1-2 fishekë, duke mbajtur mend rradhën. Pasi e afronte mësuesin përballë tij, i inatosur çirrej: “Robin e Zotit, njeriun e shenjtë, nuk e kap plumbi!” duke e drejtuar pistoletën ndaj vetes dhe tërhiqte këmbëzën tek foleja pa fishek. Pastaj ia drejtonte pistoletën mbi kokë mësuesit duke e shkrehur tek foleja me fishek. Duke u argëtuar, ky kriminel sërish u drejtohej të pranishmëve: “Robin e keq, kaurrin, nuk e do as Zoti!” dhe i vriste në vend. (Sipas dëshmisë së mësuesit disident Myslim Sedja, v. 1965, marrë nga gjyshi i tij, Mehmet Kavaja (Sedja), i cili ishte përfaqësues i Kavajës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me 10 qershor 1878. Edhe dëshmisë nga i ati i Myslimit, Avdurrahim Sedja, i cili ishte shok banke dhe lufte i Ataturkut të Turqisë).
Edhe Patriarkana Greke e Stambollit, shkronjat e alfabetit shqiptar i quante të mallkuara. Për qëllime shoveniste kisha greke helmoi mësuesin e gjuhës shqipe Petronini Luarasi, vrau Papa Kristo Negovanin, etj.
Natyrisht, regjimit komunist i duhej një “Sanço Panço”, për eleminimin e vlerave patriotike, që s’i pëlqenin regjimit komunist dhe për realizimin e reformës agrare, që çvishte fshatarët duke ua hequr të drejtën mbi pronësinë e trashëguar.
Koha e Mbretërisë së Zogut
Personalitetet historike dhe vlerat politike, duhen parë, sa veprimtaria e tyre, i ka shërbyer kombit. Edhe shtypi i kohës, duhet vlerësuar në përshtatje me kushtet historike.
Pushteti mbretëror i Zogut, funksionoi kur, në arenën ndërkombëtare boshti “Berlin-Tokio-Romë”, ishte bërë kërcënim real për botën që po përflakej nga nazi-fashizmi. Njëkohësisht, në arenën ndërkombëtare, vepronte “Kominterni”, qendra drejtuese ndërkombëtare e cila përhapte idetë komuniste nëpër botë.
Në Shqipëri, në vitet 1930 filluan veprimtarinë e tyre celulat komuniste. Orginazata Kominterni dhe komunistët shqiptarë, ende të paorganizuar, drejtoheshin nga Moska. Fuqitë perëndimore, të zëna me problemet e tyre, nuk u angazhuan me çështjen shqiptare.Poashtu, diplomatët shqiptarë të asaj kohe jashtë vendit, nuk bënë përpjekjet e duhura për ta lidhur Shqipërinë me perëndimin.
Situata kaotike politike dhe ekonomike, si dhe tradhëtia që iu bë Mbretit Zog nga disa ish-bashkëpunëtorë të tij, feudalë të mëdhej, bënë të mundur që Italia fashiste të okuponte Shqipërinë me 7 prill 1939.
E vërteta e pushtimit fashist sipas Kostë Çekrezit
Kostë Çekrezi ishte udhëheqësi i Lëvizjes Antizogiste në vitin 1935, e cila dështoi. Mbështetur tek Ditari i Konti Çianos, dhëndri i Musolinit dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, në atë kohë, Kosta shkruan kujtimet e tij me titull “E vërteta e Pushtimit Fashist”. Ditari është botuar në anglisht në vitin 1946. Pa diskutuar bindjet dhe frymën e tij anizogiste, dhe pa i paragjykuar ato ngjarje të shtjelluara në kujtimet e tij, shkurt ndër të tjera z. Çekrezi shkruan:
“Dhjetor 1938: Marrëveshja e fshehtë – Qeveria e Romës në marrëveshje me “të Parët e Vendit” i priste ndihmën Zogut për rrëzimin e tij. Duka d’Aosta, do të ishte një mbret më i mirë. Musolinit (Duçja) nuk donte pavarësinë e Shqipërisë, por okupimin e Shqipërisë me një nënmbret italian, duke përdorur si vegla të parët e vendit. Pra Duçja, kishte si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë…
5 prill 1939: Qeveria e Romës i dërgon ultimatum qeverisë së Tiranës, që të pranojë trupat ushtarake në Vlorë, Durrës, Sarandë. Parlamenti shqiptar i hodhi poshtë këto kërkesa, përfshi Shefqet Verlacin dhe Mustafa Merlikën, që në fakt ishin përfaqësuesit e bejlerëve, për marrëveshjen e fshehtë…
Duçja (që thoshte “Shqipëria është në zemrën time”) refuzoi çdo marrëveshje me Zogun sepse nuk i hynte më në punë. Në këtë rast të vështirë Zogu bëri një gjest trimërie: Shqiptarët t’u përgjigjen me armë italianëve. Me 7 prill 1939, 400 aeroplanë fluturuan mbi qiellin e Tiranës. Duçja shpalli bashkimin e Shqipërisë me Italinë. Bejlerët, bajraktarët, dhe arhondët u bënë çirakë të Duçes. Në pallatin mbretëror në Romë u pranua nga paria bashkimi i Shqipërisë me Mbretërinë Italiane, ku si mëkëmbës i Duçes u caktua Jakomani.” (Gazeta Dielli, Qershor 2011)
Kjo nënkupton se paria e Shqipërisë që dikur solli në front Zogun, për hir të interesave të saj, u bë kundërshtare e fortë e mbretit Zog, duke rënë në kurthin e Duçes.
Qëndrimi i P.K.Sh-së ndaj regjimit të Zogut.
Ky ishte preteksti i zmadhuar i P.K.Sh-së (Partia Komuniste Shqiptare), e cila duke çkurorëzuar regjimin e Zogut, do të celebronte barbarinë komuniste.
Pushtuesit italianë, populli shqiptar nuk i priti me lule. Të parët që i kthyen pushkën okupatorit italian ishin patriotët, forcat atdhetare të Ballit Kombëtar, dhe forcat patriotike ushtarake me Abaz Kupin në krye. Abaz Kupi komandoi mbi 1000 forca ushtarake dhe vullnetare kundër pushtuesve. Por, e keqja nuk mund të ndalej më. Pushtimi italian u realizua. David Smileu, kronist dhe politikan anglez e quan Abaz Kupin hero shqiptar (Gazeta Dielli, janar 2011).
Në ç’këndvështrim duhet vlerësuar periudha e Zogut?
Çezarit jepi atë që i takon! Asnjë regjim nuk është i përsosur në Botë, sado demokratik të jetë. Shqipëria e ndarë në krahina, Zogu arriti që t’i bashkoi, duke ngritur një shtet funksional, të çentralizuar.
Zogu formoi administratën e re në Shqipëri, me veprimtari të kontrolluar. Gjithashtu, themeloi ushtrinë e re, drejtuar nga kuadro, që ishin shkolluar dhe trajnuar në perëndim. Drejtësia bazohej në ligje bashkëkohore, me gjykata dhe prokurori me kuadro profesioniste. Zogu forcoi pushtetin administrativ bazuar në ligj dhe rend. Si dhe dërgoi kuadro për sektorët e ekonomisë, duke i arsimuar në perëndim. Ndërsa regjimi komunist, shumicën e tyre i burgosi dhe i pushkatoi, duke eleminuar inteligjencën shqiptare, e përgatitur me sakrifica.
Në përshtatje me kushtet ekonomike, Zogu zhvilloi arsimin. Arsimtarët paguheshin 25-30 napolona ari në muaj. Njëkohësisht, ai forcoi monedhën vendase, frankun, duke e barasvlerësuar me arin.
Forcat opozitare, me Fan Nolin, Konicën, Gurakuqin, Bajram Currin, Aqif Pashë Elbasanin, Ramazan Canin, Bajram Xhanin, Nano Gjoni, duhen të shikohen dhe vlerësohen sepse veprimtaria e tyre kundërshtonte regjimin feudal (përkrahës të oborrit mbretëror). Programi i opozitës, ishte një program më pranë vegjilisë (shtresave të varfëra), prandaj me pa të drejtë elementët feudalë eliminuan disa figura të shquara politike të kohës. Kur erdhi Zogu në pushtet, në janar 1925, një pjesë e opozitarëve u arratis jashtë vendit.
Duhen vlerësuar dhe t’u jepet vendi i merituar dy partive më të vjetra të vendit tonë: 1) Ballit Kombëtar me Mit-hat Frashërin, ish-kryetar i Kongresit të Manastirit (9-14 nëntor 1908) dhe ish-ideologu kryesor i formimit të Ballit Kombëtar, dhe 2) Legalitetit, organizatë politike kombëtare, që u themelua nga Abaz Kupi.
Duhen rivlerësuar figurat e mëdha patriotike të kombit tonë: rilindasit dhe pasuesit e tyre, Atë Gjergj Fishta, Konica, Kasem Trebeshina, Ali Podrinja, Ismail Kadare. Duhet të zërë vend nderi veprimtaria patriotike e klerit katolik si mbrojtës të pavarësisë dhe përhapës të gjuhës shqipe.
Duhet vlerësuar veprimtaria e drejtuesve të fesë islame si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dolliu, Myfti Vehebi Dibra, kreu i Kryegjyshetës Botërore të Bektashijve Baba Reshit Bardhi, si dhe përhapësit e gjuhës shqipe, si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, hirësia e tij Atë Nikollë Marku i Kishës Autoqefale Kombëtare.
Veprimtaria e Diasporës dhe Zërit të Amerikës
Diaspora shqiptare jashtë vendit, dhe veçanërisht në Amerikë, nën drejtimin e Zërit të Amerikës, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare. Zëri i Amerikës dhe diaspora, kanë qenë dhe janë ura ndërlidhjeje midis Amerikës, Shqipërisë dhe Perëndimit. Ato kanë ngritur të parin zërin për çështjen shqiptare për çdo problem madhor, si për luftën kundër komunizmit, për procese demokratike dhe për fitoren e pavarësisë së Kosovës. Vend nderi duhet të zejë figura e nderuar e Elez Biberaj, ish-drejtues i misionit të Zërit të Amerikës.
Për të ruajtur identitetin kombëtar, patriotë shqiptarë me vendbanim në Amerikë kanë hapur një seri shkollash shqipe, si shkolla shqipe nëStaten Island, themeluar nga familja Ruci dhe familja Zylo (z. Rrape Ruci, president i Institutit “Gjergj Kastriot Skanderbeg”, Mislim Ruci zv/president, drejtori i shkollës z. Qemal Zylo dhe znj. Kozeta Zylo, mësuese), si dhe shkollat shqipe në Uaterberi të Konektikës, Bronks, Neu Jork, dhe Uarçestër, Maseçutës. Gjithashtu duhet vlerësuar veprimtaria e Federatës Panshqiptare “Vatra” themeluar nga Fan Noli dhe Konica në 1912, me organin e saj gazeta “Dielli”.
Çështja Kosovare
Historia e kombit shqiptar duhet shikuar e pandarë. Kosova mbijetoi në saj të luftës heroike të popullit të vet kundër pushtuesve turq, serb, për liri, pavarësi dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Vend nderi duhet të zënë veprimtaria e presidentit Rrugova, me politikën e tij paqësore. Mbi të gjitha duhet të çmohet lart lufta çlirimtare e UÇK-së, me Hashim Thaçin, që me ndihmë të NATO-s dhe SH.B.A.-së arritën të fitojnë lirinë. Dëshmitarë të pavarësisë janë gjaku i dëshmorëve me legjendarin Adem Jashari.
Për çështjen shqiptare, shqiptarët kanë qenë gjithmonë të bashkuar. Kjo u tregua edhe me pritjen e ngrohtë që i bëri Shqipëria vëllezërve të Kosovës, kur Millosheviçi shpërnguli me dhunë 800,000 shqiptarë.
Periudha e Komunizmit 1945-1990
Sundimi i komunizmit është periudha më ogurzezë për popullin shqiptar. Ideologjia Marksiste-Leniniste, me diktaturën e proletariatit, nëpërmjet luftës së klasave, e vuri shqiptarin kundër shqiptarit. Duhet bërë ç’është e mundur që kjo periudhë të çrrënjoset nga ndërgjegja e popullit, sepse vrau, burgosi, interrnoi, persekutoi mbi 400,000 shqiptarë.
Periudha e socializmit duhet shikuar si kohë e nënshtrimit me forcë për të ndërtuar gjoja sistemin e ri politik, socializmin. Socializmi, mbështetej mbi kolektivizimin e mjeteve të prodhimit, por që kolektivizoi edhe njerëzit. Ky sistem ekonomik, krijoi një shtet të korruptuar dhe dobësonte interesat vetiake të individit. Për këtë qëllim, pas çlirimit për të realizuar këto synime, P.K.Sh.-ja zbatoi reformën agrare, duke ua marrë tokën pronarëve të ligjshëm. Pastaj, P.K.Sh.-ja krijoi sistemin e ekonomisë kolektive në bujqësi, kooperativat, sipas sistemit rus. Ky sistem përfundoi me “tufëza dhe arëza”, ku ekonomia pësoi shkatarrim total dhe varfëroi fshatarësinë, ku mungonte qumështi dhe gjiza për fëmijët.
Nuk duhet harruar rrëmbimi i pasurive të tregtarëve, toka, shtëpi, flori, duke i mohuar edhe triskën e bukës dhe të Frontit (organizatë ndihmëse e partisë komuniste për edukimin politik).
Duhet theksuar se lidhja me Beogradin dhe Moskën i shkaktuan dëme kolosale ekonomisë të Shqipërisë. Izolimi total me Perëndimin vendosi perden e hekurt, që pati pasoja fatale për vendin në të gjitha fushat e jetës. Lidhjet e fshehta midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe me ato të Partisë Komuniste Sovjetike duhet të dalin në dritë për të rrëzuar të ashtëquajturin “rreziku Anglo-Amerikan” për Shqipërinë.
Planet pesëvjeçare ku tumbetohej ngritja e veprave industriale, sollën përfundime tepër negative për ekonominë e Shqipërisë. Këto vepra që u ngritën me mundin e popullit dhe me punën e detyruar të burgosurve, me vendosjen e demokracisë rezultuan joefikatëse.
Holokausti Komunist – Të Persekutuarit Politikë
Në historinë shqiptare, të persekutuarit duhet të zenë një vend nderi, duke i pasqyruar në një muzeum kombëtar. Të burgosurit politik: të pushkatuarit, të dëbuarit me forcë, të internuarit, “ish-kulakët” (fshatarët e pasur) dhe “armiqtë e popullit”, të shpallur nga diktatura komuniste. Jeta dhe vepra e tyre, nuk peshohen as me arin e gjithë botës.
Babë Dudë Karbunara dhe i biri, at Zef Pëllumbi këta janë Mandela të Shqipërisë që tërë jetën e tyre luftuan për liri e pavarësi dhe regjimi komunist i mbajti përjetë në burg.
Pavarësisht se lufta çlirimtare përfundoi në luftë civile pas tradhëtisë së Konferencës së Mukjes (2 gusht 1943), e bërë nga komunistët, partizanët që derdhën gjakun e tyre për atdhe kundër okupatorit të huaj duhen vlerësuar si dëshmorë të kombit.
Veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, që ishte syri dhe veshi i partisë, duhet parë me sy kritik, sepse ishin zbatuesit e parë të partisë, në dëm të popullit.
Proçeset demokratike në vitin 1990 e pas
Proceset demokratike me vlerat e tyre politike, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, ishin forcat kryesore opozitare që u vunë në krye të popullit për rrëzimin e komunizmit. Dëshmorët e Demokracisë me legjendarin Azem Hajdari, janë simbole heroike për popullin shqiptar.
Populli shqiptar me klasën politike bëri shumë arritje pozitive gjatë 22 viteve të demokracisë. Mbi të gjitha populli shqiptar fitoi lirinë dhe u vendos ekonomia e tregut.
Grekët e lashtë kanë një fjalë të urtë që përcjell humanizëm: “Dashuria është çelësi i parajsës”. Në Shqipëri, ndërrimi i sistemit u arrit me rrugë paqësore. Megjithëse anekënd Shqipërisë revoltat antikomuniste filluan me lëvizjet studentore në vitet 1990, në Kavajë me filloi Lëvizja Antikomuniste nga populli më 26 mars 1990 dhe në Shkodër në prill 1990, ku u rrëzua busti i Stalinit. Këto manifestime, u përhapën në të gjithë Shqipërinë, dhe momenti kulmor ishte rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në sheshin Skënderbej në Tiranë me 20 shkurt 1990. Kavaja dhe Shkodra dha dëshmorët e parë për Demokraci.
Figurat opozitare të kohës, me në krye të pavdekshimin, Azem Hajdarin dhe z. Sali Berisha, u vunë në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ishin këto figura opozitare që u vunë në krye të popullit gjatë kohës së proceseve demokratike dhe sollën në Shqipëri Demokracinë.
Gjatë periudhës së demokracisë, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha, duke u bërë pjesë e NATO-s, dhe së shpejti do të arrijë synimin për hyrjen në Bashkimin Evropian. Duhet bërë më shumë përpjekje për mirëqenien e popullit.
NOA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd