Transmetuar më 14-01-2012, 01:11

Ministria e Kulturës ka konfirmuar se vitin që sapo ka nisur do të realizojë dy projekte kapitale sa i përket rikonstruktimit në tërësi të Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Qendrës për Kulturë në Tetovë.

Ministrja e këtij dikasteri, Elizabeta Mileska- Kançevska ka pohuar se rikonstruksioni i Teatrit Shqiptar në Shkup do të nisë brenda ditëve në vazhdim.

Ditë më parë për tu njohur me gjendjen e Teatrit, ajo ka qëndruar në këtë institucion kulturor me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi.

Kançevska ka folur edhe mbi projektin qeveritar për Qendrën për Kulturë në Tetovë. “Ka ngelur që deri në fund të vitit të instalohet ngrohja qendrore, kurse vitin e ardhshëm pason edhe fasadimi i jashtëm i objektit dhe me këtë rrumbullakësohet rikonstruimi i kësaj qendre”, deklaroi ministrja Mileska-Kançevska.