Transmetuar më 14-01-2012, 01:05

RDK ka kërkuar që pas dështimeve të njëpasnjëshme të partisë shqiptare në pushtet, në radhë kërkohet dorëheqja e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi.

"Me pompozitetin më të madh nga ana e kryeministrit dhe funksionarëve tjerë të VMRO-së, u përurua këto ditë Porta triumfale. Partia pjesëmarrëse në pushtet BDI-ja, mungoi në këtë eveniment, por ngeli  enigmatike për opinionin nëse  fare nuk ishin të ftuar nga ana e kryeministrit, me mesazhin se ajo është portë ekskluzive e maqedonasve në kryeqendrën e dikurshme dardane ku sot jetojnë mbi 200.000 mijë shqiptarë. BDI-ja nuk dha ndonjë përgjigje të qartë nëse e bojkotuan këtë eveniment nënçmues për shqiptarët, apo partneri i tyre i koalicionit i shpërfilli ata duke i parë si të papërshtatshëm", thekson zyra e RDK-së.

Sipas kësaj partie, në kohë kur kultura shqiptare vuan mjerimin më të madh nga mospasja e fondeve të mjaftueshme për zhvillimin e evenimenteve dhe shënimin e datave të çmuara për historinë shqiptare, në kohë kur ato pak institucione kulturore që kanë shqiptarët në Maqedoni dhe të cilat nga shkaku i neglizhencës absurde nga ana e ministres së kulturës, ndodhen në gjendje të mjerueshme duke mos pasur mundësi t’i realizojnë as aktivitetet e rëndomta rrjedhëse, në kohë kur për librin shqip dhe çdo aktivitetet tjetër që ka të bëjë me kulturën shqiptare, Kjo Ministri nuk ndan asnjë cent, ndodh e papritura  e radhës  së bashku me nënçmimin e radhës që i bëhet tërë popullit shqiptar në Maqedoni.

"Papritur dhe pakujtuar, kryeministri Gruevski  në hapjen solemne të portës me të gjitha elementet antishqiptare, ai publikisht del dhe falënderon funksionarin e BDI-së, njëherit sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës si bartës i projektit famëkeq “Shkupi 2014”. E pyesim funksionarin e BDI-së pranë kësaj ministrie, së bashku me partinë e tij, se  me çka i meritoi ai falënderimet nga i pari i Qeverisë për projektin në fjalë. Mos vallë mungesa e çdo elementi shqiptar në këtë portë në qytetin ku jeton edhe ai vetë, apo ndoshta heshtja e tij dhe e partisë  së tij përballë shumë projekteve antishqiptare nga sfera e kulturës, kontribuuan që ai të “nderohet“ me falënderimet publike nga ana e kryeministrit. Ngel enigmatike për BDI-në dhe funksionarët e saj, se ku janë 25% e investimeve kapitale për kulturën shqiptare në projektin “Shkupi 2014” duke përfshirë edhe portën triumfale të VMRO-së e cila ekuilibrohet me 0% parà për kulturën shqiptare, në një projekt i cili peshon jo më pak se 300 milion euro.  Në veçanti, është shumë konkrete përgjegjësia e funksionarit shqiptar i cili me profesion është historian dhe duke qenë “ekspert politik”, bie dakord me investime kapitale vetëm në kulturën maqedonase. Derisa ai të merret vesh me bashkëpartiakët e tij se si të prononcohet për këtë ofendim që iu bë atij personalisht dhe shqiptarëve të Maqedonisë në përgjithësi, në mënyrë që mos ta hidhërojnë shumë partnerin e tyre bashkëqeverisës, Rilindja Demokratike Kombëtare kërkon që sekretari shtetëror Muzafer Bislimi, menjëherë të jep dorëheqje nga posti sekretar shtetëror pranë kësaj ministrie,  bartëse e shumë projekteve antishqiptare", theksohet në fund të komunikatës së RDK-së.