Transmetuar më 06-05-2024, 15:23

Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me shumicë dhe me pakicë në vend, një litër naftë tregtohet me 184 lekë, nga 189 lekë që ishte më parë. Benzina shitet me 183 lekë, nga 188 lekë.

TIRANA- Çmimet e naftës kanë shënuar një rënie të lehtë të dielën, duke u reduktuar me pesë lekë për litër. Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me shumicë dhe me pakicë në vend, një litër naftë tregtohet me 184 lekë, nga 189 lekë që ishte më parë. Benzina shitet me 183 lekë, nga 188 lekë. Kjo është hera e parë që çmimet ndryshojnë këtë vit. Në nëntor-dhjetor të vitit të kaluar nafta shënoi dy ulje të njëpasnjëshme me rreth 10 lekë për litër. Kjo ishte hera e parë që çmimet e karburanteve kishin tendencë uljeje në vend, që nga muaji maj 2023, kur çmimet ishin rritur disa herë radhazi, nga niveli më i ulët në mëse një vit prej rreth 170 lekësh, që u arrit në maj 2023.

Gjithsesi, aktualisht, nafta është 8.2% më e shtrenjtë se në maj të një viti më parë. Në qershor 2023 u shfuqizua Bordi që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve, i cili ishte krijuar që në mars 2022, kur çmimet e karburanteve u rritën me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke arritur në tregun vendas deri në rekordin e 245 lekë për litër në prill 2022. Që pas shfuqizimit të Bordit, operatorët i ulën çmimet në nëntor, duke u justifikuar me nivelet e larta të arit të zi në bursat ndërkombëtare.

Sipas operatorëve të tregut, rënia e fundit lidhet me lehtësimin e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Një fuçi naftë tregtohet me 83.5 dollarë në bursa, nga gati 90 dollarë një muaj më parë. Javën e kaluar, të dyja kontratat e së ardhmes të naftës, ajo europiane (brent) dhe amerikane (West Texas Intermediate -WTI) shënuan humbjen e tyre më të madhe javore në tre muaj. Brent që ra me më shumë se 7% dhe WTI me 6.8%.

Kjo tkurrje erdhi pasi investitorët morën në konsideratë të dhënat e dobëta të vendeve të punës në SHBA dhe kohën e mundshme të një uljeje të normës së interesit të Rezervës Federale. Primi i rrezikut gjeopolitik në çmimet e naftës gjithashtu shënoi rënie si rrjedhojë e bisedimeve për një armëpushim në Gaza. Megjithatë, perspektivat për një marrëveshje u reduktuan pasi Hamasi përsëriti kërkesën e tij për t’i dhënë fund luftës në këmbim të lirimit të pengjeve dhe Izraeli dukej i gatshëm për të nisur një sulm në Rripin jugor të Gazës, për të cilin ka kërcënuar prej kohësh.

Ndërkohë të hënën e kësaj jave, kontratat e së ardhmes së naftës u rritën sërish, pasi Arabia Saudite shtrenjtoi çmimet e naftës së papërpunuar për dorëzimet e qershorit për shumicën e rajoneve dhe pasi perspektiva për një marrëveshje armëpushimi në Gaza dukej e pakët, duke ripërtërirë frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të zgjerohet në rajonin kryesor të prodhimit të naftës. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent fituan 73 cent, ose 0,9%, në 83,69 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së SHBA-së West Texas Intermediate ishin 78,95 dollarë për fuçi, me 84 cent ose 1,1%. Çmimet e naftës Brent në bursa në tre vitet e fundit (USD/Fuçi)./ Monitor

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd