Transmetuar më 06-05-2024, 14:27

Të martën, më 14 maj, në orën 19:00 në stadiumin “Arena Kombëtare" do të luhet finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë, Kukësi-Egnatia. Të dyja skuadrat kanë bërë mjaft mirë në këtë kompeticion dhe do të luftojnë për të fituar trofeun e 72-të në histori.

Egnatia, që kryeson me plot meritë edhe në kampionat, për herë të dytë në histori do të luajë në një finale të Kupës së Shqipërisë. Rrogozhinasit, sezonin e kaluar e fituan për herë të parë trofeun e Kupës së Shqipërisë, pasi mposhtën në finale Tiranën. Pra, ata do të tentojnë të marrin trofeun e dytë radhazi në këtë kompeticion.

Në anën tjetër, Kukësi është një ekip me më shumë eksperiencë se Egnatia në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë. Kjo do të jetë finalja e pestë në histori për verilindorët, që e kanë fituar dy herë trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Ata kanë bërë mjaft mirë këtë sezon duke eliminuar skuadra si AF Elbasani, Partizani dhe Tirana, ndaj objektivi i vetëm është fitimi i trofeut për herë të tretë në histori. Kujtojmë se Kukësi ka rënë matematikisht nga Superiorja, por mund ta mbyllë këtë sezon zhgënjyes në kampionat me një trofe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd