Transmetuar më 05-05-2024, 12:46

Gjirokastër, 5 Maj 2024 /noa.al – Më 1 maj, ditë feste zyrtare, çifti Kleoniki dhe Kosta Ilia, ishin në shtëpi duke shtyrë ditët e pleqërisë.

Ajo 88 vjeçe dhe ai 84, mbaheshin mirë dhe jetonin në fshatin jugor duke qëndruar pranë njëri-tjetrit.

Atë ditë u vjen aty Thomai, 69 vjeç, i njohur dhe fqinjë i tyre. Ai piu një kafe me ta, ashtu siç bëjnë përditë të njohurit mes tyre.

Por më pas, ai iu sul çiftit burrë e grua duke i vratë një e nga një. Me thikë dhe sende të forta, ai fillimisht masakroi deri në vdekje Kostën që gjendej në oborr. Menjëherë më pas u fut nëpër dhoma dhe iu sul dhe vrau të shoqen e Kostës, Kleonikinë duke e masakruar edhe atë.

E gjitha, mes vorbullës së një konflikti verbal të çastit dhe mosmarrëveshjesh të mëparshme.

Autori u largua nga vendi i krimit duke u përpjekur ti shpëtojë zbulimit policor.

Si u zbulua vdekja e çiftit

Një telefonatë nga Greqia në drejtim të njërës prej fqinjave të çiftit ka zbuluar ngjarjen tragjike në Dropull ku burrë e grua, Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeçe u gjetën të pajetë me shenja dhune në trup.

Ka qenë mbesa e Kleoniqit që u bë merak pasi dje në darkë nuk kishte folur ashtu sikurse gjithmonë çka ngjalli dyshime se diçka do të kishte ndodhur.

Fqinja pas kësaj telefonate shkoi në banesën e çiftit në orën 6 të mëngjesit ku ka gjetur në fillim të pajetë Kostën të shtrirë në pragun e shtëpisë pranë tryezës me një shenjë goditje në pjesën anësore të kokës.

Më pas në brendësi të dhomës gjeti dhe Kleoniqin të pajetë me shenja dhunë. Më pas u njoftua policia e cila mbërriti në vendngjarje.

Policia zbardhi ngjarjen dhe flet për dinamikën e saj

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Drejtues i Parë Ardian Çipa doli këtë të diel para medias për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë në fshatin Bodritshtë, bashkia Dropull.

Ai tha se zbulimi i të vdekurve u bë më 2 maj rreth orës 08:00 kur u njoftuan se në fshatin Bodrishtë/Dropull ishin gjetur nga bashkëfshatarët pa shenja jete dy shtetas në brendësi të banesës së tyre.

Në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë.

Kurse në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë.

Nga kqyrja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat.

Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen.

Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për egzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që egzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milionë lekë të reja që çifti i të moshuarëve kishte në banesë.

Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas.

U kryen intervista, verifikime, kontrolle, eskpertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera që grupi i posaçëm hetimor çmoi të nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.

Nga hetimet intensive, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të sqarohet motivi i kësaj ngjarje dhe të dokumentohet me prova ligjore autori i kësaj ngjarje të rëndë me pasoja vrasjen e dyfishtë të Kosta e Kleoniqi Ilia.

Nga provat e siguruara rezulton se autori i këtij krimi dyshohet të jetë Thoma Mastora 69 vjeç, banues në Bodrisht të bashkisë Dropull.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale u bë ekzekutimi i urdhërit të Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për ndalimin e shtetasit:

Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë/Dropull, rezulton person i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

Ndalimi i Mastoras, u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd